Ish-anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës përmes një reagimi kanë kundërshtuar shkarkimin nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Në reagimin e bërë për media thuhet se veprimi i sotëm i shumicës parlamentare është antiligjor, transmeton Telegrafi.
“Veprimi i sotëm i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës për shkarkimin e Bordit të RTK-së është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se “ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave”.
“Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave”, vijon reagimi.
Gjithashtu, Bordi i RTK-së thotë se “do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar”.
“Bordi i RTK-së i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave që të reagojnë ndaj këtij vendimi politik dhe arbitrar të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës”, përfundon reagimi.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar pro shkarkimit të Bordit të RTK-së.
Kuvendi votoi pro shkarkimit të Bordit për secilin anëtarë veç e veç.
Emrat e anëtareve Bordit të shkarkuar të RTK-së janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur në tërësi rekomandimin për shkarkimin e këtij Bordi.
Ndërkaq partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke e quajtur këtë e vendim si puro politik dhe tentim për kapje të shtetit. /Telegrafi/