Pas mbledhjes së Bordit të FBK-së, është lëshuar një komunikatë ku thuhet: “Basketbolli kosovar është duke u dëmtuar në masë të madhe nga tifozët e pandërgjegjshëm të cilët me veprimet e tyre huliganeske po shkatërrojnë atë që me mund të madh jemi duke u munduar ta avancojmë deri në ndërkombëtarizimin e tij”.
“Këto sjellje janë zhgënjyese për sponsorët të cilët për shumë vite nuk kursyen asgjë vetëm e vetëm që basketbolli jonë t’i arrijë hapat e vendeve të rajonit dhe më gjerë. Janë po ashtu zhgënjyese për udhëheqësit e klubeve të cilët nga vetja ndajnë kohën më të çmuar”.
“Federata e Basketbollit në vazhdimësi është munduar që qoftë me zbatim të rregulloreve apo edhe preventivë, të mos vie deri te më e keqja, e që incidentet e shkaktuara në ndeshjen e së dielës , dashtë zoti të jenë të fundit. Përpjekjet tona të vazhdueshme për ndërkombëtarizim janë shpërblyer me pranime të vogla por të sigurta, ndërsa këto sjellje huliganeske do të bëjnë të vetmen gjë për basketbollin e Kosovës, e kjo është, mbyllja e dyerve të cilat kanë filluar të hapen me shumë mund dhe këmbëngulje”.
“Incidentet e tilla na bëjnë që me shumë frikë ta presim mbledhjen e Bordit të Ligës Ballkanike me 20 Prill 2013, ku pjesëmarrës janë të gjitha federatat pjesëmarrëse duke përfshirë edhe FBK-në, e ku pikërisht siguria në ndeshje mund të jetë pika kyçe për refuzim nga ana e ndonjë përfaqësuesi në këtë mbledhje për pjesëmarrjen e skuadrës nga Kosova”.
“Federata e Basketbollit, konform akteve të veta normative, nuk do të tolerojë raste të tilla të cilat dëmtojnë imazhin, përpjekjet për avancim dhe ndërkombëtarizim të basketbollit, qoftë edhe me një vendim më radikal – zhvillimin e ndeshjeve pa praninë e shikuesve të tillë të cilët nuk janë ndihma dhe mbështetja e klubeve e as e basketbollit në tërësi”.
“Edhe këtë herë,si shumë herëve tjera,kërkojmë nga Policia e Kosovës, zbatim dhe aplikim të kompetencave në shërbim të ruajtjes së sigurisë,rendit dhe qetësisë publike,ndërsa për iniciuesit por edhe kryerësit e veprave të tilla,përgjegjësi para ligjit,sepse kështu sporti që me mund po bënë aktivitetin e vet, është në rrezik”.
“Kërkojmë nga të gjithë që në çfarëdo mënyre janë të kyçur në basketboll, për kontribut më të madh në eliminimin e dukurive negative, për më shumë kulturë sportive, sepse kemi shumë nevojë dhe është më se e domosdoshme te ne”.
Ndeshja Sigal Prishtina – Trepça është regjistruar me rezultat zyrtar 20:0 në të mirë të Trepçës, ndërsa Sigal Prishtina është dëmtuar me dënime të shumta si (-1) pikë, gjobë parash, një ndeshje pa shikues dhe dy ndeshje moslojë në terren të saj. /Telegrafi/