Bashkësia Islame e Kosovës, reagon ndaj lajmit se Bashkësia Islame e Kosovës do ta nënshkruajë një Memorandum me Ministrinë e Drejtësisë, për caktimin e imamëve dhe për përzgjedhjen e ligjëratave të tyre nëpër Kosovë, me qëllim të parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit.
“E vërteta është krejtësisht ndryshe, sepse këtu bëhet fjalë për caktimin e imamëve nga BIK-u, për të ligjëruar nëpër burgje dhe nëpër Shtëpitë korrektuese në 10 qendra të Kosovës, dhe atë me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Drejtorisë së Burgjeve. Me këtë rast do të bëhet edhe verifikimi i literaturës fetare, e cila momentalisht gjendet nëpër burgje.
Pra, nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndërhyrje në punët e brendshme të BIK-ut nga ana e askujt, sepse kjo punë është çështje jona e brendshme, e cila është e rregulluar me Kushtetutën e BIK-ut dhe Rregulloret e punës në fuqi”, thuhet në reagim e nënshkruar nga kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora. /Telegrafi/