Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka komentuar statuset e fundit në Facebook të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“Jemi në një kohë që disa e shkruajnë historinë me mënyrën e tyre. Që nga Rama që zbuloi Akropolin dhe se Ali Pasha kreu revolucionin e 1821-shit, e deri te presidenti i ri i Parlamentit Evropian. Historia është një fushëbeteje dhe duhet të përdoret si shkollë për të nxjerrë mësime dhe jo si burg, ku të burgoset mendja jote”, ka deklaruar Kotzias gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, raporton “BalkanWeb”.
Shefi e diplomacisë greke iu referua një statusi në “Facebook” të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, më 24 janar, kushtuar Ali Pashë Tepelenës, ku ndër të tjera shkruante se “Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali Pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore”.
Edhe më herët një tjetër status në Facebook i Ramës shkaktoi “provokime” në Athinë, kur muaj më parë shprehej se Akropoli është ende në këmbë falë kurajës së shqiptarit, Gjergj Dushmani. Kaq mjaftoi që jo vetëm mediat në shtetin fqinj, por edhe politika greke të reagonte ashpër. Madje, Ministria e Jashtme greke thirri për sqarime edhe ambasadorin shqiptar në Athinë.