Site icon Telegrafi

Reagon AGK: Pengohet ekipi i Kanal 10 në një shkollë në Fushë Kosovë

Një ekip i televizionit Kanal10, i përbërë nga gazetari Naim Kryeziu dhe kameramani Fatos Rakovica, janë penguar në kryerjen e detyrës së raportimit nga drejtori i Shkollës “Bajram Curri” në Fushë Kosovë, Fidan Hasani. 

Kjo u bë e ditur përmes një reagimi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ku ndër të tjera thuhet se gazetari Kryeziu dhe kameramani Rakovica, u penguan fizikisht dhe verbalisht nga drejtori i shkollës, gjatë tentimit për të raportuar lidhur me mungesën e ngrohjes në këtë institucion arsimor.

“Pengimi i punës së gazetarëve, veçanërisht kur ata janë duke trajtuar tema me interes publik, përbën shkelje serioze të lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Sjelljet e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet demokratike dhe vlerat që duhen të respektohen nga zyrtarët publikë”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim bëhet e ditur se AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve të institucioneve publike që të jenë bashkëpunues dhe të respektojnë punën e gazetarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version