AGK përmes një komunikate për media ka thënë se ka marrë me shqetësim informacionin se xhiruesi i TV Prizrenit, Gramos Zurnaxhiu, është penguar, sulmuar dhe kërcënuar gjatë kryerjes së detyrës së tij.
Sipas njoftimit për media Zurnaxhiu me datën 19.07.2019 gjatë aksionit të Inspektoratit për rrënimin e disa objekteve në kompleksin “Abi Çarshia” në Prizren, është kërcënuar nga disa punëtorë të saj dhe persona të panjohur.
Pronati i TV Prizrenit i ka thënë AGK se ky rast po trajtohet si kanosje.
“Pronari i TV Prizrenit, Muhamet Fusha, për AGK ka treguar se rastin e kanë proceduar në polici dhe se tashmë po trajtohet si kanosje”
Në njoftim thuhet se Fusha ka treguar se për sjelljen jo profesionale të stafit të “Abi Çarshia”, ka kërkuar falje pronari kësaj qendre. Po ashtu ai ka thënë se në emër të policisë të cilët më pas kanë marrë në pyetje gazetarët e medieve lokale që kanë përcjell këtë ngjarje, ka kërkuar falje komandanti i stacionit policor.
AGK vlerëson se sjellje të tilla nga çfarëdo grupi i interesit janë të papranueshme, dhe të patolerueshme. Pengesat në punën e gazetarëve dhe punonjësve medial duhet të ndalen dhe trajtohen me prioritet nga organet e rendit.
AGK u bënë thirrje të gjithë punonjësve medial që të kryejnë me profesionalizëm dhe etikë detyrën prej gazetari dhe njëkohësisht të raportojnë për çdo shkelje dhe keqtrajtim që iu bëhet derisa kryejnë detyrën./Telegrafi/