Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur brengën e tyre për incidentin e së martës, kur shefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale i ka mohuar qasjen e lirë gazetares së “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj në këtë institucion publik, për të përcjellë një takim ku merrte pjesë edhe kryeministri i vendit, shkruan sot Koha Ditore.
Një ditë pas incidentit, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka theksuar se liria e shtypit është kërkesë fondamentale për çdo shoqëri demokratike.
“Ne jemi të brengosur me raportimet se një gazetareje i është ndaluar qasja në një takim publik. Liria e shtypit është kërkesë fondamentale për të gjitha shoqëritë demokratike”, ka thënë për “Kohën Ditore” Michelle Schohn, zyrtare për marrëdhënie publike e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Në mbrojtje të lirisë së shtypit është shprehur edhe Dinka Zhival, zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë.