Në ndyshimet e fundit në Gjykatën Penale kanë reaguar LSDM-ja dhe OBRM-PDUKM-ja. Sipas socialdemokratëve pastrimi në Penale bëhet me qëllim të pengimit të drejtësisë dhe porositën që institucionet të mos e mbrojnë pushtetin kriminel në ikje, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Do të ketë ri-zgjedhje të plotë të gjykatësve. Ata do të punojnë për të mbrojtur qytetarët dhe jo sipas direktivave politike si deri më tani. Prandaj të gjitha përpjekjet e kriminelëve dhe shpresat që mund t’i shpëtojnë drejtësisë janë të kota”, theksohet në reagimin e LSDM-së.
Ndërkohë OBRM-PDUKM-ja akuzoi LSDM-në se ajo e mbron krimin dhe se kjo parti po ushtron presion mbi gjyqësorin.
“Gjyqësori nuk duhet të përkulet para kërcënimeve të LSDM-së. Gjyqtarët duhet të ruajnë kredibilitetin profesional dhe integritetin dhe të gjykojnë sipas ligjit, pavarësisht kërcënimeve për shkarkimin e tyre nëse nuk i binden vullnetit të Zaevit”, theksohet në reagimin e OBRM-PDUKM-së./Telegrafi/