Telegrafi

Reagoi për largimin e Biden nga gara, Hyseni i kthehet ashpër Gërvalles: Mozomakeq, mjaft more të pafytyrë!

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla reagoi mbrëmë pas lajmit se Joe Biden do të tërhiqet nga gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gërvalla në një postim në “X” shkroi se populli i Kosovës e admiron dhe do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Presidentit Biden.

“Ai po tregon sërish se çfarë lideri dhe karakteri i madh është. Udhëheqja e tij në Perëndim dhe kontributi i tij dekada për lirinë dhe demokracinë globale janë një shërbim për të gjithë botën”, shkroi Gërvalla.

E pas këtij reagimi të ministres së Jashtme, ka reaguar ish- ministri Skender Hyseni.

Hyseni e ka quajtur Qeverinë të pafytyrë dhe të pandërgjegjshme e cila sipas tij e ka marrë në qafë Kosovën.

“Establishmenti politik në Kosovë, e besa edhe shoqëria në Kosovë kanë marrë turr me i “drejtu politikat parazgjedhore amerikane” thua se kanë fuqi magjike dhe se e kanë luksin të merren me gjëra që shkojnë larg përtej orbitës së tyre miniaturale. Mozomakeq!”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Ai ka shtuar se Kosova drejtohet nga një presidente dhe kryeministër të paaftë.

“Kosova e mjerë me një që e quan veten presidente e cila kërkon që Kosova të kthehet në kohën e para shpalljes së pavarësisë, edhe pse uroj te jetë e vetëdijshme se askush nuk e pyet “kur është Bajrami i…….”.  Kosova e mjerë me një kryeministër gënjeshtar inteligjent që nuk e ka hallin e Kosovës por që për synim ka “riformatimin e botës” Kosova e mjerë, pa një alternativë real-politike të mirëfilltë…….

Po mjaft më more të pafytyrë e të papërgjegjshëm se e morët në qafë këtë vend. I morët në qafë të gjithë, përfshi këtu edhe “40%-in e analfabetëve funksionalë””, ka shkruar Hyseni. /Telegrafi/