Pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ka pasur reagime të shumta.
Mbrëmë ka reaguar ministri i Arsimit (MASHT), Shyqiri Bytyqi i cili përmes një shkrimi, fajin për përjashtim nga EQAR, ia hedhë një “grup interesi” të cilët sipas tij keqinformuan këtë institucion.
Ndërsa, Universiteti i Prizrenit ka reaguar me një komunikatë për media në emër të Konferencës së Rektorëve, duke thënë se përjashtimi i Kosovës nga EQAR, goditje e rëndë për arsimin e lartë në Kosovë.
“Ne jemi shumë të shqetësuar me vendimin për të përjashtuar Agjensionin Kosovar të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë (EQAR) në Arsimin e Lartë, duke e konsideruar si një goditje e rëndë për Arsimin e Lartë të Kosovës”.
“Por, ne besojmë që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë hapat e duhur me urgjencë për ta riparuar dëmin e shkaktuar. Njëherit, ne si Konferencë e Rektorëve, shprehim gatishmërinë që të ndihmojmë në këtë proces”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, pati reagime edhe nga ish-drejtori i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Blerim Rexha, i cili ka folur pas vendimit të përjashtimit të AKA-së nga Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Rexha në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se ky vendim u shkakton më së shumti probleme studentëve.
“Ky vendim, studentëve që dalin jashtë vendit u shton procesin e dyshimit verifikimit dhe validimit të diplomave dhe programeve të studimit të tyre”, ka thënë Rexha. /Telegrafi/