Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se marrin parasysh dhe respektojnë çdo kritikë e sugjerim lidhur me projektligjet, kur u pyet lidhur me reagimin e odave të profesionistëve shëndetësorë, të cilat janë distancuar nga drafti i Projektligjit të ri për Shëndetësi.
“Grupet punuese që formohen për përpilimin e ligjeve e kanë bërë punën e vet. Ky ligj tash është në konsultime paraprake, ku janë konsultime mes institucioneve. Do të dalë edhe në konsultime publike, ku do të kenë mundësi të gjitha palët pa përjashtim sidomos palët e interesit të rëndësishme siç janë odat e profesionistëve shëndetësorë që t’i japin mendimet, këshillat, sugjerimet dhe kritikat e tyre”, u përgjigj Vitia në pyetjen e KALLXO.com se pse nuk i kanë ftuar odat e profesionistëve për përpilimin e Projektligjit.
Odat e profesionistëve shëndetësorë janë distancuar publikisht nga drafti i këtij Projektligji të mërkurën, më 02.10.2024, duke thënë se ai është në kundërshtim me parimet kushtetuese, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Ligjin për Zyrtarë Publikë, Ligjin e Punës, Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Ligjin për Prokurimin Publik.
Ata janë shprehur të indinjuar edhe me faktin që nuk janë ftuar e konsultuar fare për këtë draft të Projektligjit, ndryshe nga herat e kaluara kur kanë qenë anëtarë të grupeve punuese për plotësim/ndryshim të Ligjit për Shëndetësi, i cili veçse është në fuqi.
Ministri tha se gjatë këtyre diskutimeve do t’i marrin parasysh dhe do t’i diskutojnë bashkë këto kritika.
Projektligji për Shëndetësi është paraparë që të jetë i gatshëm më 20.06.2024 sipas Programit Legjislativ për vitin 2024.
Ligji aktual për Shëndetësi është miratuar në vitin 2013 dhe është plotësuar e ndryshuar dy herë më 2022 dhe 2023.