Grupet e rreshtuara me Hezbollahun kanë reaguar për vrasjen e liderit të saj, Hassan Nasrallah.
Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Hamasi tha se “krimet” do të nxisin vendosmërinë e tij për të luftuar kundër Izraelit.
“Ne rikonfirmojmë solidaritetin dhe qëndrimin tonë absolut me vëllezërit në Hezbollah dhe Rezistencën Islamike në Liban”, citohet të ketë thënë grupi.
Ndërsa Xhihadi Islamik, një tjetër grup palestinez i mbështetur nga Irani, tha: “Herët a vonë, forcat e rezistencës në Liban, Palestinë dhe rajon do ta bëjnë armikun të paguajë çmimin e krimeve të tij dhe të shijojë humbjen për atë që kanë bërë duart e tij mëkatare”.
“Rezistenca” përdoret shpesh nga këto grupe për t’iu referuar “Boshtit të Rezistencës”, një koalicion i grupeve të armatosura të lidhura me Iranin, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Houthi-t e Jemenit.
Ndërkohë Houthi-t thanë se rezistenca “nuk do të thyhet dhe shpirti xhihadist i vëllezërve muxhahidë në Liban dhe në të gjitha frontet e mbështetjes do të bëhet më i fortë dhe më i madh”.
Veç këtyre, Ministria e Jashtme e Iranit tha se “rruga e Nasrallahut do të vazhdojë dhe qëllimi i tij do të realizohet në çlirimin e Jerusalemit”.
E Iraku shpalli tre ditë zie për Nasrallah. /Telegrafi/