Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar ndaj afaristit Ejup Ahmeti, pronar i pikës së eksporteve Doni Fruits në Lushnjë.
Reagimi i Braçes vjen pas njoftimit të këtij të fundit se, do të merr pjesë në protestën e fermerëve të Myzeqesë për ndryshim të Paketës Fiskale 2022 në sektorin e bujqësisë.
“Të bashkohemi të gjithë së bashku dhe të kërkojmë që në miratimin e Paketës Fiskale të merren në konsideratë gjashtë kërkesat e dërguara nga Shoqata e Eksportuesve të Fruta Perimeve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptarë dhe Sindikata e Fermerëve të Bashkuar. Duhet të kuptojmë që pjesëmarrja në këtë protestë është shumë e rëndësishme për grupet e interesit, të protestosh në mënyrë paqësore për të drejtat e tua, për të drejtat tona të përbashkëta”, kishte shkruar Ahmeti.
Pas këtij njoftimi, Braçe ka thënë se Qeveria e Shqipërisë ia ka ndërtuar pikën e eksporteve Ahmetit dhe se është përfituesi më i madh i tatimeve për bujkun.
“Ejupi ka pikën më të madhe të eksporteve në Lushnje, ia bëri Qeveria – kjo Qeveri (afër 100 milionë lekë të reja, plus rrugën nga FSHZH, plus linjë të dedikuar për energjinë nga OSHEE, plus linjë të dedikuar uji nga UK Lushnje); Ejupi është një nga përfituesit më të mëdhenj nga TVSH për bujkun (sipas shifrave nga tatimet); dhe Ejupi është një nga përfituesit më të mëdhenj nga çmimet dhe trajektorja e tyre (sipas shifrave nga doganat)”, ka reaguar Braçe.
Mirëpo, për pëfaqësuesit e biznesit në Kosovë, ky reagim po cilësohet si shantazh ndaj bizneseve nga Kosova që veprojnë në Shqipëri.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që të ndërmarrë veprime ndaj deputetit Braçe.
Sipas Rukiqit, Braçe po përdor gjuhë shantazhuese ndaj kompanisë Doni Fruits, e cila sipas tij ka shënuar sukses në Kosovë por edhe në rajon, duke e cilësuar gjithçka si shantazh të ish-zëvendëskryeministrit.
“Doni Fruits është tregim suksesi në Kosove dhe rajon, ndër kompanitë e rralla nga Kosova me sukses në Shqipëri. Mijëra fermerë në Kosovë dhe Shqipëri janë përfitues direkt nga puna e palodhshme e Doni Fruits, me qendrat e grumbullimit të frutave dhe perimeve në këto dy vende. Në ditët e fundit, aktiviteti i kësaj kompanie në Shqipëri, po rrezikohet seriozisht, nga sulmet dhe gjuha shantazhuese e deputetit Erion Braçe”, thuhet në reagimin e Rukiqit. /Telegrafi/