Amir Rrahmani ka qenë njëra nga mungesa e mëdha të Kosovës për ndeshjen gjysmëfinale të Divizonit D në Ligën e Kombeve.
Kapiteni i Kosovës mungoi për shkak të karantinimit me skuadrën e Napolit pas rasteve me covid-19.
Për mos ardhjen e tij në grumbullim, pati shumë komente negative nga tifozët e Kosovës dhe për këtë ka shpërthyer në reagimin e tij Amir Rrahmani.
Qendërmbrojtësi prishtinas ka thënë se e gjithë skuadra e Napolit është në karantinë dhe nuk i lejohet të bëjnë as një metër larg hotelit.
“I gjithë ekipi i Napolit është në karantinë dhe jemi të ndaluar të bëjmë një metër larg hotelit. Pas të gjitha përpjekjeve të ambasadës italiane në Kosovë, prapë ishte e pamundur të vija”.
Ai i ka sugjeruar komentuesve që fillimisht të mësohen ta duan vendin e tyre para se të komentojnë nëpër rrjetet sociale.
“Mësohuni ta duani vendin tuaj, pastaj të bëni komente”, ka shkruar Rrahmani.
Rrahmani ka bashkangjitur një foto të disa komenteve ku ai e lojtarët tjerë që munguan janë etiketuar si tradhtarë. /Telegrafi/