Telegrafi

Reagimi i Ademit pas lirimit nga akuza: Në fund triumfoi e drejta

(Foto: Facebook/Agim Ademi)

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë një reagim pas lajmit se Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tij, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje.

Aktgjykimi ndaj kreut të FFK-së është shpallur të mërkurën – sipas të cilit – nuk është provuar se dy të akuzuarit (Ademi dhe dhe Muharrem Rama) kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Në reagimin në faqen e tij në Facebook, ai ka thënë mes tjerash se gjykata “mori aktgjykim lirues ndaj meje për akuzën që më rëndonte padrejtësisht”.

Lexo po ashtu Në rigjykim, lirohet nga akuza për detyrim kryetari i FFK-së, Agim Ademi

Në vijim, postimi i plotë i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës:

Në fund triumfoi e drejta!

Kam kënaqësinë të ndaj lajmin e mirë me ju që sot Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm mori aktgjykim lirues ndaj meje për akuzën që më rëndonte padrejtësisht.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me rastin e shpalljes së aktgjykimit lirues, ka theksuar faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar që unë kam kryer ndonjë vepër penale, për të cilën kam qenë i akuzuar padrejtësisht për më shumë se 10 vjet.

Ju falënderoj të gjithë juve që keni besuar në punën time dhe në angazhimin tim, familjes për përkrahjen, e po ashtu falënderoj avokatët nga zyra e avokatëve ‘Hodaj & Partners’, që kontribuuan në zbardhjen e së vërtetës.

Ky aktgjykim është motiv shtesë për mua që të vazhdoj angazhimin tim në ngritjen e futbollit të Kosovës në nivelet më të larta dhe të kontribuoj në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.
I juaji Agim Ademi!