Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së premte dha dorëheqje nga posti i tij.
Ai tha se ftesa nga Gjykata Speciale në cilësinë e të akuzuarit është arsyeja që ka çuar deri në marrjen e këtij vendimi.
Ndërkohë, në rrjetet sociale pati ragime të shumta lidhur me këtë ngjarje, ndërsa nuk munguan edhe reagimet e fytyrave publike.
Këngëtarë e aktorë të shumtë nga estrada gjithashtu shprehën revoltën e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale.
Telegrafi në vazhdim ju sjell një përmbledhje të disa prej tyre
Gold AG
I njohur për miqësinë e tij me Ramushin, Gold AG ka publikuar në Facebook dhe Instagram këngën e tij “Ska gjyq që më gjykon”, referuar faktit se tash e sa herë Haradinaj ftohet në Hagë, ndonëse disa herë është shpallur i pafajshëm.
Ndërkohë më pas, ai hodhi edhe një tjetër video, e cila shfaq momentin kur në një miting, kryemintri Haradinaj këndonte disa nga vargjet e këngës “O jam Kosova, o jam Shqipëria”, të kënduar nga reperi.
Leonora Jakupi
Një reagim nuk mungoi as nga këngëtarja Leonora Jakupi, e cila kësaj here frustrimin e pati me Gjykatën Speiale.
Këngëtarja nga Skënderaj publikoi në InstaStory një imazh të Gjykatës Speciale me një “X” të madh sipër saj, duke treguar se vazhdon të mbetet revoltuar nga thirrjet që ajo po bënë për krerët e shtetit.
Mozzik
Reperi i njohur nga Ferizaj, Mozzik, publikoi në InstaStory një fotografi të Haradinajt, duke shkruar në mbishkrimin e saj urata të mëdha për kryeministrin.
“Zoti të ruajë ty e familjen tënde! Ramush Haradinaj, nuk po hjeket gazepi, por mos ta ndin se mbrapa të rrin krejt mileti, respekt”, kanë qenë fjalët e Mozzikut në InstaStory.
Arjola Demiri
Aktorja e njohur nga Tropoja, e cila jeton dhe vepron aktualisht në Prishtinë, publikoi një fotografi të realizuar me kryeministrin, duke treguar mbështetje të madhe për të, përkundrejt vendimit që ka marrë.
“Gjithmonë krenar me ty, Ramush Haradinaj, ti je heroi im”, shkroi aktorja në një fotografi të publikuar nga Instagram.
Besa Kokëdhima
Reagime pati edhe nga artistët e Shqipërisë, e një ndër to erdhi nga këngëtarja e njohur shqiptare Besa Kokëdhima.
E njëjta publikoi një fotografi të kryeministrit ende në detyrë të Kosovës, duke shkruar në mbishkrimin e saj një sërë atributesh për Ramush Haradinajn.
“Ramush Haradinaj; burrë shteti e personalitet i lartë! Dha dorëheqjen nga pozicioni i kryeministrit të Kosovës, pasi është ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale. Kjo, për të qenë në gjykim si një qytetar i thjeshtë dhe jo si kokë shteti, duke mbrojtur vendin nga çdo ekspozim i mundshëm. Gjest shumë fisnik, i përgjegjshëm e i respektueshëm”, ka shkruar Besa në Instagram. /Telegrafi/