Sot (e mërkurë), është gjetur e vdekur vajza e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Regjisorja Arzana Kraja ka ndërruar jetë në Lagjen “Emshir” në Prishtinë.
Përveç Qendrës Kinematografike të Kosovës, ngushëllime për vdekjen e saj kanë ardhur nga emra të njohur të botës së artit, përfshirë këngëtarë, aktorë dhe regjisorë.
Regjisori Besim Ugzmajli:
“Një lajm tepër i tmerrshëm, i pabesueshëm. Prehu në paqe Arzana! Ngushëllime familjes Kraja dhe gjithë komunitetit”.
Modelja Diellza Kolgeci:
“Arzana Kraja, nuk po mundem të besoj”.
Aktori Naser Rafuna:
“Ndarja jote prej nesh Arzana Kraja, na shokoj. Fort fort fort u mërzita per kolegen, shoqen e pashembullt, njeriun qe kemi punu disa projekte bashkë. Nuk shkaterrohet bota ndryshe përpos me largimin e njerëzve te mirë prej nesh. Familjes Kraja ngushëllime, komunitetit artistik gjithashtu edhe tërë popullit sepse në mesin tonë nuk është një artiste e madhe”.
Aktori Armend Smajli:
“Arzana, na i theve zemrat e na trishtove me ikjen tënde kaq të shpejte e kaq të padrejtë. Pusho e qetë shoqja jonë”.
Pianisti Ilir Bajri:
“Arzana Kraja. Lajm shokues. Me ta këput zemrën qysh njerëzit e mirë të këtij vendi po vdesin kaq të ri. E talentuar, puntore, tolerante e gjithnjë gati për me ba diçka mirë… Zor me e përbi këtë lajm kaq të rëndë. Ngushëllime për familjen e për të gjithë ne”.
Regjisori Shkëlzen Sylejmani:
“Vdekja e hershme e Arzanës është humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e kinematografisë.Prehu në paqe, Arzana Kraja”.
Regjisorja kosovare njihet më së miri për filmin “Shkurta”, teksa debutimin e bëri me filmin “Fusha e mëllenjave”, i cili njëkohësisht bëri edhe hapjen zyrtare të edicionit të 11-të të PriFest 2019.
Ndërkohë, filmi i metrazhit të gjatë “Fusha e Mjellmave” ishte pretendent për çmim edhe në ngjarjen prestigjioze të filmit “Berlinale”. /Telegrafi/