Site icon Telegrafi

Reagime pasi propozoi hapjen e vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, Gërvalla: Zhurmaxhinjtë të qetësohen dhe të studiojnë ligjin

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i është kundërpërgjigjur reagimeve pas propozimit të ministrisë që ajo drejton që në zgjedhjet e 9 shkurtit të hapen vendvotime në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, ku do të mund të votojnë mërgimtarët.

Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “së bashku me KQZ-në jemi duke punuar çdo ditë për t’i siguruar secilit qytetar të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, ashtu si e parashohin ligjet e Republikës së Kosovës, të drejtën dhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Secilit dhe secilës që dëshiron të japë votën e tij dhe votën e saj, dhe në mënyrën që ai dhe ajo vetë zgjedhin për të votuar”.

“E drejta e mërgatës për të votuar, si e drejtë themelore demokratike, buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa mënyra e votimit rregullohet me Ligjin e ri Zgjedhor, të miratuar gjatë këtij mandati qeverisës nga Kuvendi i Kosovës. Është detyrim i të gjitha institucioneve tona të krijojnë dhe sigurojnë të gjitha mundësitë e parapara me ligj. E drejta e votës për mërgatën nuk guxon të mbetet vetëm në letër. Ajo duhet të mundësohet kudo dhe për të gjithë”, ka shkruar Gërvalla, transmeton Telegrafi.

Më tej ajo ka thënë se “zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin”.

“Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem”.

Ajo ka thënë se mërgata është pjesë e pazëvendësueshme e Kosovës.

“Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ajo do të mund të votojë pa barriera burokratike dhe administrative dhe për herë të parë edhe në ambasada dhe konsullata, por edhe përmes postës, pra ashtu siç e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme jashtë çdo standardi të votimit ka propozuar që si qendra të votimit të hapen gjithsej 35 përfaqësi diplomatike (me rreth 45 vendvotime), ku sipas tyre, do të mund të votojnë plot 360 mijë qytetarë.

Cakolli ka thënë se kjo teknikisht është e pamundur./Telegrafi/

Exit mobile version