Site icon Telegrafi

Reagime dhe kundër-reagime për serialin “Çka ka Shpija”, aktori Adhurim Demi e quan publikun e këtij seriali nivel të ulët artistik

Gjatë ditës së mërkurë, në rrjetet sociale është nisur një debat lidhur me serialin vendor “Çka ka Shpija”.

Kjo pasi shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, Luan Dalipi, bëri një status në rrjetin social Facebook duke kritikuar gjuhën përmbajtësore të serialit në fjalë.

Mes shumë reagimeve, pati komente edhe nga aktorët e njohur kosovarë Adhurim Demi dhe Nëntor Fetiu.

“Pikërisht ashtu është lehtë është me folë si ti pajtohem, nuk është lehtë me bë një punë si duhet në skenë, në Kosovë profesionit të skenës iu kanë shpifë shumëkush…unë më përpara e preferoj me ndrrua profesionin se sa me punua e me bë llakerdaja kur koha ka qenë me bë gjëra të bukura…Respekt”, ka shkruar Nëntor Fetiu, i njohur për publikun si ‘Korabi’ i “Familjes Moderne”.

Ndërkohë në mesin e replikave në komente, aktori Adhurim Demi ka treguar se është tërhequr nga ky serial, duke i cilësuar shikuesit e tij të një niveli të ulët artistik.

“Arbër a si quhesh a ke parë që janë punuar mbi 2000 seriale, a Nëntori e Adhurimi ato i kanë punuar…A m’fal me siguri televizior paske që 1 vjet e “Çka ka Shpija” për tek është seri e vetme që po u punojka. Po unë edhe në atë seri kam luajtur, po e kam lënë për shkak të njerëzve të rangut tënd. Ja tipat si ti e kqyrin e për shkak të njerëzve si ti e kam lënë “Çka ka Shpija” se niveli i publikut është shumë shumë i ulët artistikisht”, ka qenë përgjigja e aktorit Demi.

Lexo po ashtu Shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi e quan serialin "Çka ka shpija" degjenerues - kundërpërgjigjet Naser Rafuna

Ndërkohë, këtij statusi i është kundërpërgjigjur edhe vet producenti i serialit, Naser Rafuna, duke u shprehur se shefi i stafit të kryeministrit nuk duhet ta ngatërrojë politikën me artin. /Telegrafi/

Exit mobile version