I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Financave ndaj konferencës së sotme për shtyp të deputetit të LSDM, Marjanço Nikolov, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Rebalanci i buxhetit bëhet gjatë vitit që të harmonizohen të ardhurat dhe të dalat me projeksionet për rritje të ekonomisë. Deficiti buxhetor, nga ana tjetër paraqet dallim mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Kriza politike e cila vazhdon edhe këtë vit ka ndikuar në zvogëlimin e konsumit privat, ndërsa firmat dhe bankat janë bërë më të kujdesshme në raport me financimin e investimeve të reja”, thuhet në reagimin e Ministrisë së financave.
Sipas Ministrisë, kriza politike kishte ndikim edhe në anën e shpenzimeve të Buxhetit.
“Për shkak të dy periudhave parazgjedhore realizimi i shpenzimeve të kapitalit është ngadalësuar, sepse në kohën e zgjedhjeve nuk mund të shpallen furnizimet publike. Përderisa disa mjete realisht nuk mund të shfrytëzohen deri në fund të vitit pse atëherë mund të lihen në buxhet edhe krahas rebalancit”?, qëndron në reagim.
Në raport me mjetet nga IPA, Ministria thekson se të gjitha projektet të cilat realizohen me IPA dhe të cilat janë në rrjedhë vazhdojnë me dinamikë të njëjtë./Telegrafi/