Site icon Telegrafi

Re të shumta tymi dhe lavë ndërsa vullkani shpërthen pranë kryeqytetit islandez

Një vullkan ka shpërthyer rreth 30 km (19 milje) nga kryeqyteti i Islandës, Reykjavik, ka thënë zyra meteorologjike e vendit, duke shënuar herën e tretë në dy vjet që llava ka shpërthyer në zonë.

“Shpërthimi po ndodh në veri të Litli Hrútur, nga i cili tymi po largohet në drejtimin veri-perëndimor”, tha zyra meteorologjike e vendit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë pamjet që qarkulluan në mediat lokale treguan një re masive tymi që ngrihej nga toka si dhe një rrjedhje të konsiderueshme llave.

Tymi mund të shihej nga rruga që lidh kryeqytetin me aeroportin ndërkombëtar, me makina të bllokuara dhe njerëz që bënin foto.

Mijëra tërmete të vogla ishin regjistruar në zonë në javën para shpërthimit, duke sinjalizuar se magma nën tokë po lëvizte dhe një shpërthim ishte i pashmangshëm.

Autoritetet islandeze këshilluan njerëzit të mos shkonin afër vendit përpara se të kishin vlerësuar situatën. /Telegrafi/

Exit mobile version