Site icon Telegrafi

RDK e Zendelit: Tashmë është e qartë se Vesel Memedi ka mbetur i vetëm

Tashmë është bërë e qartë për opinionin publik se Vesel Memedi ka mbetur i vetëm, i kapur nga pushteti, në lojërat e tij të dirigjuara nga lartë për të pamundësuar bashkimin e opozitës, pretendojnë nga RDK, krahu i Fadil Zendelit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“I leçitur nga shtëpia e tij, Vesel Memedi, është kthyer në një Robinson Kruzo tragjik-komik, për të ardhur keq, veprimet e të cilit nuk i merr seriozisht askush.

RDK i kujton Robinson Kruzos të saj se ai, që gjashtë muaj, nuk ka guximin të vijë në mbledhjet e organeve të RDK-së, Kryesisë Qendrore dhe Kuvendit Qendror, e as në mbledhjet e Degëve të RDK-së nëpër të gjitha komunat e banuara me shqiptarë në Maqedoni, por bredh rrugëve me vulat e uzurpuara të partisë, duke e marrë të tjerët nën sqetull, herë si lango, herë si lolo, për qëllimet e tyre.

RDK e fton Robinson Kruzon e saj që të vijë në mbledhjet e Kryesisë dhe Kuvendit Qendror si dhe në Degët e RDK-së nëpër komuna për ta kuptuar se kongreset nuk i organizon një person i vetëm (pos kur është vegël e kapur e pushtetit), por siç thuhet në nenin 33 të Statutit të RDK-së – seancën e rregullt të Kongresit të partisë e thërret Sekretari i përgjithshëm i partisë; në nenin 31 të statutit të RDK – mënyra e përcaktimit të delegatëve të nëndegëve në Kongres përcaktohet me rregullore për punë të nëndegëve, të sjellë nga Kuvendi Qendror i Partisë dhe në nenin 35 të statutit të RDK – me mbledhjen e Kongresit deri në zgjedhjen e Kryesisë së punës kryeson Sekretari i përgjithshëm i partisë.

RDK i rekomandon Robinson Kruzos të saj se është më mirë për të, të bëhet analist sporti – tani që edhe pushteti u detyrua ti ndërpresë pagesat disa vjeçare qyl prej dhjetëra mijëra eurosh pa shkuar në punë – se sa siç ka përfunduar kështu në një figurë tragjike dhe komike të politikës shqiptare.

RDK e bën të qartë edhe një herë se të gjithë ata që e marrin nën sqetull Robinson Kruzon e saj, çojnë mesazhin e hapur se kanë për qëllim sabotimin e bashkimit real të partive opozitare shqiptare”, thuhet në reagimin e RDK të Zendelit./Telegrafi/

 

Exit mobile version