Dikur e kishte emrin Salzburg, ndërsa para disa vitesh u ble nga kompania e njohur e pijeve Red Bull.
U prit se do të bëhej një prej klubeve më të mëdha dhe në Austri ia doli.
Në Austri skuadra është dominuese absolut dhe i frikshëm duke fituar 11 tituj kampionë prej vitit 2005, vetëm tre para se të vijë Red Bulli.
Por në Evropë ka diçka që nuk shkon, tradita. Pak a shumë si Manchester City.
Salzburgu ka krijuar një traditë, por jo fituese, humbëse.
Prej titullit të parë me Red Bullin, Salzburgu ka tentuar 10 herë të kapë grupet e Ligës së Kampionëve.
Të dhjetat herë dështoi, ndërsa së fundmi me Rijekën. Dhjetë eliminime rresht, një turp për Red Bull Salzburgun.
Eliminimet
Në vitin 2006-07 erdhi titulli i parë për Red Bullin, me Giovani Trapattonin si trajner dhe Lothar Matheusin si ndihmës.
Humbi fillimisht nga Valencia, pastaj nga Shahtar Doneck një vit më pas.
Në vitet e fundit vijnë eliminime nga Makabi Haifa (2009), Hapoel Tel Aviv (2010), dy herë Malmo dhe perla e perlave të eliminimeve nga F91 Dudelange i Luksemburgut në vitin 2012.
Dhe së fundmi u eliminua nga Rijeka në bazë të golit të pësuar në fushë vendase, pasi rezultati i përgjithshëm ishte 1-1.
Tash e disa vite për këtë skuadër luan edhe lider i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha.
Salzburgut nuk i mbetet tjetër vetëm të tentojë sërish. /Telegrafi/