Telegrafi

RB Leipzig shkruan historinë, eliminon Atletico Madridin dhe kalon në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve

Nuk e bëri Atalanta, por u përkujdes RB Leipzig për befasinë më të këndshme të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

Skuadra gjermane ka shënuar fitore 2-1 ndaj Atletico Madrid në çerekfinale duke kaluar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Për klubin gjerman ky është një sukses historik, pasi kurrë më parë nuk kishte arritur që të jetë në mesin e katër skuadrave më të mira në Evropë.

RB Leipzig – Atletico de Madrid . (Photo by Lluis Gene/Getty Images)

T’i kthehemi ndeshjes ku është zhvilluar një 90 minutësh i zjarrtë, edhe pse në pjesën e parë munguan golat.

Dy skuadrat patën raste të mira shënimi, por 45 minutat e parë përfunduan ashtu siç filluan pa gola 0-0.

Leipzig e nisi për mrekulli pjesën e dytë, ku në minutën e 51-të Dani Olmo shënoi me kokë pas asistimit nga Sabitzer për 1-0.

RB Leipzig . (Photo by Lluis Gene/Getty Images)

Atletico Madrid fitoi një penallti në minutën e 70-të, pasi Joao Felix u pengua në zonë nga Klostermann.

I saktë nga pika e bardhë ishte sulmuesi portugez që barazoi gjithçka.

Atletico de Madrid. (Photo by Lluis Gene/Getty Images)

Por dy minuta para fundit të ndeshjes, Leipzig arriti të shënojnë golin historik.

Mesfushori amerikan i inkuadruar në lojë, Tyler Adams shënoi një gol nga distanca, gol që doli të jetë vendimtar për fitoren e skuadrës së tij.

Festa e futbollistëve të RB Leipzig. (Photo by Lluis Gene/Getty Images)

Kësisoj RB Leipzig shkaktoi befasinë më të madhe këtë edicion të Ligës së Kampionëve, teksa në gjysmëfinale do të përballet me kampionin francez Paris Saint Germain. /Telegrafi/