Yll Megi u dashurua në muzikë në moshën 17 vjeçare. Karierën e filloi në Radio TV EPZ në ishullin e Zakinthos në Greqi. Ai u frymëzua prej artistëve si Little Louie Vega, Moodymann, Kevin Yost, Thievery Corporation, e shumë tjerë.
Yll Megi e filloi karierën në muzikë duke punuar si producent në radio emisionin No Name në Radio EPZ. Gjatë atyre dy viteve, ai filloi të performonte si DJ, duke u bërë rezident në Playboy Night Club, e më vonë edhe në Cameo Club. Suksesi i tij bëri që ai të performojë edhe në Athinë, në Studio Bay Queen dhe Dhites Club.
Hapi i natyrshëm i radhës ishte që ai të përfshihej në skenën e vendlindjes së tij në Shqipëri. Në fillim të 2000-tave, jeta e natës në Tiranë ishte shumë e zhvilluar. Energjia dhe pasioni për muzikën house mbizotëronte kryeqytetin shqiptar, dhe Yll Megi performonte në të gjitha baret dhe klubet më të mira në qytet.
Bujë të madhe bënte edhe bregdeti i Jugut, ku Yll Megi performonte rregullisht në klubet e bregdetit. Performancat mbresëlënëse dhe shija e veçante e tij bëri që ai të ftohet për performanca edhe në Kosovë.
Yll Megi është pa dyshim një prej përzgjedhësve më të sofistikuar të muzikës elektronike në rajon. Energjia pozitive e tij e shoqëron muzikën e këndshme që i ka kënaqur adhuruesit e kësaj muzike me dekada. Koleksioni i tij përfshin shumë zhanre të ndryshme – si Soul, Jazz, Funk, House dhe Disco – dhe miksimin ndërmjet tyre Yll Megi e bën në mënyrë të përkryer, me tinguj që përshtaten në çdo ambient, nga plazhi e deri te majet malore.
Këtë të shtunë, RaveTravel ua sjell një performancë nga një prej ikonave të muzikës elektronike shqiptare, Yll Megi.