Site icon Telegrafi

Raufi: Ka prova për likuidimin e katër pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës (Video)

Në emisionin “INTERVISTA”, avokati Naser Raufi thotë se ka prova që dëshmojnë likuidimin e disa prej prestarëve të Grupit të Kumanovës pas dorëzimit, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme nuk beson të ketë ngjarë diçka e tillë, sidomos jo në ambientet e stacionit policor. Avokati Raufi, thekson se denoncimi i bërë nga pjesëtarët e grupit në gjykatë, do të mbështetet edhe me prova shtesë, njofton Shenja.

“Jo që kam informacion, por kemi edhe dëshmi. Dëshmitë janë nga ana e këtyre të akuzuarve që unë i prezantoj. Domethënë janë në vendin e ngjarjes kanë konstatuar, bëhet fjalë për 4 persona që janë dorëzuar tek Ministria e Punëve të Brendshme. Kemi dëshmi prej vetë të akuzuarve që kanë qenë në grup me këta që praktikisht janë likuiduar. Ne do ta argumentojmë dhe kemi prova, pavarësisht se Prokuroria e mohon këtë, sepse e kemi pritur ne si palë mbrojtëse që do të jetë e mohuar. Nënkuptohet arsyeja e mohimit, pasi duhet të ketë përgjegjësi nga personat e involvuar”, ka deklaruar Naser Raufi, avokat.

“Pas publikimeve dhe hetimeve brenda Ministrisë së punëve të Brendshme, nuk kemi njohuri të tilla, as raste të dokumentuara. Nuk besoj të ketë mundur të ndodhë një gjë e tillë brenda stacionit policor. Megjithatë këtyre pyetjeve duhet të ju përgjigjen njerëz nga shtabi, pra ata që e kanë udhëhequr aksionin e Kumanovës në atë moment”, është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Avokati Raufi pohon se e gjithë ngjarja në Kumanovë ka zgjatur vetëm disa orë, ndërsa është mbajtur artificialisht tensioni me qëllim që të përfshihen palë të ndryshme dhe të destabilizohet vendi.

“Nuk është e vërtetë që ka qenë konflikt disa orë siç u tha fillimisht, 38 orë. Tërë ky konflikti është prej orës 5 të mëngjesit dhe ka mbaruar për 5-6 orë, pra rreth orës 11. është pjesë e skenarit që kinse luftohet edhe më tutje, për arsye sipas meje që të destabilizohet jo vetëm lokaliteti por tërë Republika e Maqedonisë, por për fat të mirë nuk u involvua asnjë strukturë, nuk u keqpërdor ky aksion artificial dhe skenar i shërbimeve sekrete”, ka thënë më tej avokati Raufi.

Raufi tha se do të kërkojë edhe obduksionet e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për shkak të dyshimeve se nuk përputhen me obduksionet e Maqedonisë. Ai gjithashtu paralajmëroi se me kërkesë të avokatëve mbrojtës, për dëshmi në gjykatë do të ftohen ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe disa pjesëtarë të tjerë të shërbimit sekret. /Telegrafi/

Exit mobile version