Telegrafi

Ratifikimi i marrëveshjes për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc kaloi në komisionin amë

Në Komisionin për Politikë të Jashtme, unanimisht kaloi propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për hapjen e vendkalimit të përbashkët kufitar, Llojan-Miratovc.

Siç është shprehur nënkryetari i Komisionit për mirëmbajtje, demarkim dhe hapjen e vendkalimeve kufitare të RMV me fqinjët dhe drejtori i Drejtorisë për Çështje Konsullore dhe të Drejtës Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Luftim Spahiu, me iniciativën e Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe me pëlqimin e palës serbe, u nënshkrua marrëveshja më 16 dhjetor të vitit 2019 dhe është planifikuar të implementohet në dy faza. Vendkalimi kufitar Llojan-Miratovc do të ndihmojë në lehtësimin e komunikimit midis popullatës në të dy anët e kufirit.

Ndërtimi i objekteve me rreth 2,4 milionë euro do ta financojë Norvegjia, me koordinim nga Sekretariati për Çështje Evropiane, ndërsa shteti do të mobilizojë objektet veçmë të ndërtuara.

Kryetari i Komisionit Antonio Milloshovski, theksoi se pas një kohe të gjatë dhe kërkese nga Maqedonia e Veriut deri tek Serbia përfundimisht po bëhet funksionalizimi i hapjes së këtij vendkalimi kufitar.

Komisioni gjithashtu ratifikoi unanimisht Marrëveshjen midis qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Francës, që ka të bëjë me shkollat e mesme me klasa dygjuhëshe të frankofonisë.

Natasha Deskoska nga Drejtoria për Çështje Konsullore dhe të Drejtën Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi se Marrëveshja midis dy vendeve u nënshkrua në Shkup në muajin shkurt të vitit 2019 dhe duhet të lejojë zhvillimin e mëtutjeshëm dhe vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit dygjuhësh, si dhe promovimin e cilësisë të mësimdhënies, duke përdorur përvojat evropiane.

Anëtarët e Komisionit mbështesin Marrëveshjen dhe janë të qëndrimit se ky lloj bashkëpunimi duhet të shtrihet edhe në shtetet e tjera anëtare të BE-së, si dhe në prezantimin e mësimit të gjuhëve të tjera zyrtare të BE-së në shkolla që në moshë më të re./Telegrafi/