Pas bisedave telefonike të politikanëve të lartë kosovarë me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee është rënë dakord që ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi të riprocedohet. Opozita kundërshton.
Nevojë për marrëveshje të shpejtë
Në një njoftim për medie të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, thuhet se gjatë bisedës telefonike me diplomatin amerikan, i ka thënë atij se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, pasi në të kundërtën, ato e humbin kuptimin. “Në këtë drejtim, ata u pajtuan që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të kuvendit.
Një bisedë telefonike zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, në fundjavë e zhvilloi edhe me kryemnistrin e Kosovës, Isa Mustafa. “Kryeministri Mustafa dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Isa Mustafa.
Opozita ende kundër
“Sa i përket deklarimeve për procedimin e demarkacionit mendoj që është e drejtë e tyre për ta proceduar demarkacionin në Kuvend, por ajo që vlen të theksohet në biseda me gjithë deputetët është që ata nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe janë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Mendoj që fillimi i javës tjetër vendin do ta çojë në zgjedhje”, thotë Pal Lekaj.
Kosova me propozim të ri në Bruksel
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë se “Mustafa do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”. “Pra të kërkohen mundësitë që Brukseli ta suspendoj për një kohë kushtin e vendosur pa të drejtë, pra atë të demarkacionit, për vizat ndaj qytetarëve të Kosovës, me mundësinë e rikthimit të tij në rast se brenda periudhës së caktuar nuk përmbushet edhe ky kusht. Kjo është arsyeja pse Kryeministri Mustafa udhëton për në Bruksel”, thotë Faton Abdullahu
Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, thonë se edhe nëse pranohet kërkesa e kryeministrit nga BE-ja, një kërkesë e tillë është e vonuar dhe ajo mund të marrë kohë të gjatë derisa ta miratojë Brukseli zyrtar.
Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë. Por, kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga partitë politike opozitare të cilat janë të bindura që Kosova humb territor me këtë marrëveshje. /DW/