Familja e tre shtetasve amerikanë, me origjinë shqiptarë nga Kosova, të vrarë në Serbi në vitin 1999, i ka akuzuar sot autoritetet në Beograd, për dështim që të dyshuarit të sillen para drejtësisë, përkundër premtimeve të përsëritura se do ta bëjnë këtë.
Vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyçi, nga Bruklini, e kishin lënë biznesin e tyre me pica në Nju Jork, për të luftuar së bashku me kryengritësit shqiptarë kundër sundimit të Serbisë në Kosovë.
Ata ishin arrestuar në fund të konfliktit, kur ishin gjetur në pjesën qendrore të Serbisë. Trupat e tyre të pajetë ishin gjetur në varrezë masive në vitin 2001.
Në një letër të hapur për zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të nënshkruar nga disa intelektualë amerikanë dhe ballkanikë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, shprehet keqardhje që prokuroritë për krime të luftës në Serbi kanë dështuar ta zgjidhin këtë rast, edhe 17 vjet pas vrasjeve, duke vlerësuar se kjo është dëshpëruese” dhe “e papranueshme”, raporton agjencia AP nga Beogradi.
Në letër theksohet se në rastin Bytyçi, “presidenti i Serbisë dhe dy kryeministra aktualë në mënyrë të përsëritur kanë premtuar zgjidhje prej vitit 2006, por kanë dështuar të ndërmarrin hapa për sigurimin e këtij rezultati”
Në raport indikohet se “i dyshuari i parë i ka frikësuar dëshmitarët dhe mbetet afër anëtarëve të lartë të qeverisë aktuale”.
I pyetur për të komentuar, një zyrtar qeveritar serb, i njohur me këtë rast, tha se “ne kemi punuar në mënyrë intensive në rast”.
Ky zyrtar ka folur në kushte të anonimitetit.
“Në rastin Bytyçi, liderët politikë serbë kanë dështuar në mënyrë të përsëritshme për t’i realizuar premtimet që u kanë bërë zyrtarëve amerikanë”, tha Praveen Maddhiraju, përfaqësues juridik i familjes Bytyçi.
“Për fat të keq, liderët e Serbisë kanë shumë më tepër të arritura në ndihmën për kriminelët e dyshuar të luftës”, tha Madhiraj.
Robert L. Barry, ish-ambasador amerikan dhe shef i misionit të OSBE-së në Bosnjë, tha se nëse liderët serbë dëshirojnë ta udhëheqin vendin e tyre për në BE, “ata duhet ta ndalin mbrojtjen e e kriminelëve dhe të fillojnë t’i mbajnë fjalët e tyre”. /REL/