Avokati i një prej edukatoreve të çerdhes “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, Bajram Zogiani, ka hedhur poshtë akuzat ndaj klientes së tij, ku thuhet se ka përdorur dhunë.
Avokati i edukatores Naime Musa, Zogiani tha se rasti nuk është siç shihet në incizime, sipas tij është hiperbolizuar fillimisht nga mediat e më pas nga familjarët.
Zogiani teksa mohoi akuzat për keqtrajtim, shtoi se qëllimi i edukatores ishte mbrojtja e fëmijës.
“Unë jam avokat i Naime Musa, intervistimi ka zgjat 40 minuta, kjo çështje është duke u zmadhuar së tepërmi, së pari nga mediet e më pastaj nga prindërit”, tha Zogiani.
Ai po ashtu pyeti se nga kush janë publikuar pamjet dhe se a janë verifikuar ato.
“Akuzë nuk ka ende, ajo po akuzohet për sjellje jo të mirë e që nuk është e vërtetë. Është një punëtore që punon që 24 vjet në këtë institucion dhe që nuk ka qenë në asnjë procedurë gjyqësore.
Unë i kam shikuar pamjet dhe ajo fillimisht është ndalesë që mos të dalë jashtë dhe nuk ishte duke e përballuar vendosjen në çerdhe.
Ajo është vetëm një ndalesë e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që mos të dalë nga objekti pasi që ai është në adaptim një mujor, është që 15 ditë i vendosur në çerdhe dhe nuk po e përballon vendosjen në çerdhe. Nuk ka qenë tërheqje zvarrë, vetëm një ndalesë.
Vendimi nuk dihet ende, pritet. Nuk janë as ndaluar as të arrestuar, pritet përgjigjja nga prokurori”, shtoi Zogiani. /Kp/Telegrafi/