Në seancën e sotme të Gjykatës së Apelit, për rastin “Shënjestra-Fortesa”, prokurori i lartë Elvin Veli, ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë për përgjimet masive në DSK është i qartë dhe preciz.
Ai theksoi edhe se ndaj të akuzuarit Sasho Mijallkov duhet të ndërpritet ndjekja penale për një nga veprat penale për të cilat po ndiqet, për shkak të vjetërsimit absolut.
Konkretisht, Mijallkov është ndjekur penalisht për tri vepra penale, përkatësisht për “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” për të cilat është dënuar me 5 vjet burgim, për “shoqatë kriminale” me 5 vjet burgim, si dhe për “marrje të shpërblimit për veprim të kundërligjshëm me 3 vjet burg. Ai mori dënimin maksimal të parashikuar për secilën vepër, ose dënim për të tria veprat prej 12 vitesh.
Por në shkurt të vitit të kaluar, u vjetërsua vepra e fundit, “Marrje shpërblimi për veprim të kundërligjshëm”. Në seancën e sotme u konstatua sërish vjetërsia.