Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot do të mbajë seancën e apelit në rastin e Salih Mustafës.
Sipas njoftimit të bërë në faqen e Dhomave të Specializuara, thuhet se seanca do të nis në orën 13:30 dhe do të përfundoj rreth orës 17:10.
Edhe për të premten është paraparë të mbahet një tjetër seancë e cila nis në orën 09:30.
Salih Mustafa pretendohet se ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.
Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.
Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022. Trupi Gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. /Telegrafi/