Telegrafi

Rasti Salih Mustafa, më 9 qershor konferenca përgatitore për gjykim

Më 9 qershor në Hagë do të mbahet konferenca përgatitore për gjykimin në rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafa.

Konferenca do të fillojë në orën 09:00, ka bërë të ditur Gjykata Speciale në faqen e saj zyrtare.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor, ndërsa ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në Hagë.

Më 28 shtator, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa u paraqit para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Gjatë seancës publike të parën, është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Ndërkaq, prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill./Telegrafi.