Telegrafi

Rasti i Pejës: Pak orë para se t’i vdiste djali, mes lotësh nëna “live” në emision kërkoi ndihmë për shërimin e të birit

Sot ka ndërruar jetë Jetart Berisha, viktima e dytë e tentimvrasjes së para disa muajve në Pejë.

Por, pak orë para se të ndërronte jetë Jetarti, nëna e tij mes lotësh kishte kërkuar ndihmë financiare.

Në një lidhje direkte te Edita Doli, ajo ka thënë se djali i plagosur rëndë ndodhet ende në trajtim në QKUK.

Ndërkaq, ka shtuar se ka mbetur pa para, pasi para se të ndodhte rasti tragjik, e kanë blerë një banesë me kredi, të cilën tani nuk po mund ta paguajnë dot.

“Jam rasti i Pejës, që janë plagosur baba me dy djemë. Burri ka ndërruar jetë, djalin e kam që dy muaj e gjysmë në emergjencë, nuk po di çka me ba bre motra jeme. Para se me ndodh rasti kam hy në kredi të madhe për me ble një banesë, e cila ka kushtuar 63 mijë euro, pas dy muajsh me ndodhi rasti… Jam shumë keq, nëse kishi pasur mundësi diçka mem ndihmu, se nuk po du kah me ja mbajtë”, ka thënë nëna e viktimave.

Në muajin qershor kishte ndërruar jetë edhe babai i Jetart Berishës, Jeton Bersha.

Më 22 maj në Pejë, Jeton Berisha dhe dy djemtë e tij janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri rreth orës 21:25 në rrugën “Bekim Berisha”.

Gjykata Themelore e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Agron Gashit, i cili dyshohet për plagosjen e trefishtë.

Sipas dosjes fillestare të Prokurorisë, personat e përfshirë në këtë rast, nuk kishin probleme paraprakisht, por se deri te zënka erdhën pasi ishin përfshirë si palë të treta në diskutimet që dy të njohur të tyre po i bënin për shitblerjen e një veture “Golf lll”./Telegrafi/