Pas konfirmimit të mbrëmshëm nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për rastin e parë pozitiv me virusin COVID-19 në Mitrovicë, kjo komunë ka marrë masa shtesë në parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se ekipet nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ekipin komunal për menaxhimin e emergjencave kanë evidentuar të gjitha rastet e kontaktit të të infektuarës, të cilët janë gjithsej 96 persona, 84 punëtorë të ETC-së, ndërsa të tjerë familjarë që do të testohen nga IKSHPK-ja dhe janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme.
Përveç mbylljes së përkohshme të ETC-së deri në verifikimin e të gjitha rasteve të kontaktit, kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka propozuar këto masa shtesë për të gjitha supermarketet që veprojnë në Mitrovicë:
Asnjë qytetari të mos i lejohet hyrja në supermarkete pa dorëza dhe maskë.
Të vendoset në hyrje një tavolinë për ekzaminimin e konsumatorëve me termometër digjital.
Të dezinfektohen në tërësi objektet në baza ditore dhe në prani të inspektorëve komunal.
Obligohen supermarketet të angazhojnë stafin e tyre për të bërë dezinfektimin e të gjitha shportave dhe karrocave për çdo përdorim.
Të jetë në hyrje të çdo supermarketi dezinfektuesi për duar dhe në të gjitha hapësirat tjera.
Secili qytetar është i obliguar të njoftoj organet e rendit për hyrjen e qytetarëve nga komunat e karantinuara.
Po ashtu u tha se ato biznese të cilat nuk respektojnë këto rekomandime nga vendimi i Shtabit emergjent të Mitrovicës, do të rrezikojnë me mbylljen e biznesit të tyre, dhe për personat të cilët nuk zbatojnë rekomandimet nga institucionet lokale dhe ato qendrore, nga organet e rendit do t’u ngritet vepër penale.
Bahtiri dhe anëtarët e Shtabit emergjent u kanë bërë apel qytetarëve të Mitrovicës që të jenë të kujdesshëm, t’i përmbahen të gjitha masave mbrojtëse dhe rekomandimeve nga IKShPK-ja dhe institucionet tjera gjegjëse, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i evitojnë daljet pa nevojë. /Telegrafi/