Krimin, i cili është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur akt terrorist dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Rreth tri javë më parë, autoritetet e tanishme të larta të Serbisë kanë paralajmëruar se lidhur me krimin në Pejë, nuk ka argumente se e kanë bërë shqiptarët dhe se opinioni në Serbi do të ballafaqohet me lajme të tmerrshme lidhur me këtë rast.
Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se vrasja e të rinjve në kafeterinë “Panda” në Pejë, ka qenë një krim i shumëfishtë i shtetit të Serbisë, për shkak se vrasjen e kishte organizuar shteti i atëhershëm, i cili i kishte fshehur autorët dhe i kishte fajësuar shqiptarët.
“Ky është krim i shtetit, sepse këtë krim nuk e ka bërë ose nuk e ka bërë planin për të, pa e marrë pëlqimin nga kreu politik. Për këtë krim ka qenë i njoftuar një rreth shumë i ngushtë i personave me ndikim atëherë në Serbi dhe ky është krim i shtetit, pa asnjë dyshim”.
“Po të mos ishte i tillë, shteti nuk do ta zbulonte fare. Në këtë mënyrë, këta po mundohen ta bëjnë një distancim prej Milosevicit dhe të tjerëve, prandaj s’ka asnjë dyshim që është krim i shtetit”, thotë Shala.
Ai shton se që në vitin 1998 kur kishte ndodhur krimi në Pejë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut në Kosovë, ka shqyrtuar indikacionet që kanë treguar se krimin nuk e kanë bërë shqiptarët.
“Ne, atëherë, në asnjë mënyrë nuk e kemi pranuar se atë vrasje mund ta kenë bërë shqiptarët. Ne e kemi identifikuar shumë mirë. Nuk kemi ditur krejtësisht në formën se prapa kësaj kanë qenë (Radomir)Markovici dhe (Milorad Ulemek) Legija”.
“Për ne s’ka pasur dilema, por ne s’kemi pasur argumente për ta mbështetur atë se kush e ka kryer krimin. Mirëpo, ne atëherë kemi sugjeruar shumë qartë se shqiptarët nuk kanë lidhje me këtë vrasje dhe tash po del se ne kemi pasur të drejtë”, shton Shala.
Në anën tjetër, Natasa Kandic, e cila për shumë vjet ishte drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, pati qëndruar në Pejë, pas krimit në kafeterinë “Panda”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo përshkruan atmosferën në qytetin e Pejës, në dhjetorin e vitit 1998:
“Selia e ish-‘Beretave të kuqe’, gjegjësisht, njësiteve për Operacione Speciale ka qenë në pushimoret që gjendet afër Manastirit të Deçanit. Ata, me automjetet e tyre ‘hamer’ në vazhdimësi janë vozitur nëpër rrugët e Pejës. Ka qenë njësia lokale ‘Vetëtima’… Kjo ka ngjallur frikë të tmerrshme në qytet. Pas orës 16, asnjë shqiptar nuk ishte nëpër rrugë. Flitej se për këtë vepronte ‘Dora e zezë’ dhe se njerëzit zhdukeshin dhe se automjetet shëtisnin pa tabela regjistrimi”.
Ajo shton se që atëherë, në mesin e shqiptarëve në Pejë, flitej se krimin nuk e kishin kryer shqiptarët. Në këtë mënyrë, sipas saj, mund të shikohej edhe porosia e prindit të Zoran Stojanivicit, i vrarë nga sulmi në Pejë, i cili u kishte thënë kolegëve të tij shqiptarë me të cilët punonte, se janë të mirëseardhur në shtëpinë e tij për t’i shprehur ngushëllime dhe se ai e dinte se kush ia kishte vrarë djalin.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Njësia për hetimin e krimeve të luftës, duhet të japin përgjigje se kush e ka bllokuar hetimin dhe kush ka thënë se nuk guxohet të nxirren argumentet”, thekson Kandic.
Megjithëkëtë, Shala thekson se është mirë që rasti për krimin në kafeterinë “Panda” është hapur dhe po zbardhet, për faktin se hap dyert për zbardhjen edhe të krimeve tjera, të cilat kanë mbetur të pasqaruara dhe krime, të cilat më pas kanë prodhuar efekte shumë negative për shqiptarët.
Shala shpreh mendimin, se as rasti i krimit në Pejë, nuk do të fillonte të zbardhej pa presionin ndërkombëtar, i cili më pas ka prodhuar efekte, që, siç thotë ai, mbase edhe nuk janë pritur nga shteti serb.
“Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë presion Serbisë dhe ajo e ka pasur si kusht që të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës për arrestimin e atyre që janë përgjegjës për krime lufte apo për krime kundër civilëve. Kjo ka rezultuar me disa arrestime”.
“Pastaj, ata të cilët janë arrestuar, fillimisht kanë pasur premtime nga shteti se nuk do të qëndrojnë në burg për kohë të gjatë, por do të lirohen shpejt. Por, kur ka kaluar një kohë dhe ata nuk janë liruar, por janë dënuar me dënime maksimale, siç u dënua Markovici me 40 vjet burg, atëherë ata kanë filluar ta kërcënojnë shtetin dhe kanë filluar t’i nxjerrin detajet, të cilat kanë çuar në zbardhjen e disa krimeve”, konsideron Shala.
Ndryshe, autoritetet e larta të Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se ka informata që çojnë drejt dyshimeve se hetimet lidhur me krimin në kafeterinë “Panda” në Pejë, nuk janë bërë në mënyrën profesionale të dëshiruar dhe se këto autoritetet janë duke punuar lidhur me këtë çështje. /rel/