Site icon Telegrafi

Rasti “Monstra”, do të bëhet ekspertizë e 31 celularëve dhe do të dëgjohen “bomba” në seancë

Ekspertizë e re e 31 telefonave do të përpunohet dhe paraqitet si dëshmi e re në gjykimin për vrasjen e pesëfishtë më 12 prill të vitit 2012 në Liqenin e Smillkovës, që në opinion njihet si rasti “Monstra”.

Gjykatësi Ognen Stavrev, në seancën e sotme tha se telefonat janë marrë gjatë kontrolleve që janë bërë në kohën e hetimit të parë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Telefonët janë gjetur në depo në polici. Policia më ka thënë se do të bëhet ekspertizë me teknologji të re, që atëherë nuk ka qenë e disponueshme”, tha Stavrev.

Ndërsa prokurorja Fatime Fetai tha se pas përfundimit të kësaj procedura, do të propozojë si dëshmi të reja disa audio-incizime që lidhen me këtë rast, të cilat në vitin 2015 janë dorëzuar nga LSDM, e që njihen si “bomba”.

Gjykata theksoi se do të nevojitet kohë që të njihet me përmbajtjen e tyre, ndërsa më pas do të dakordohen për lëshimin e tyre.

Në seancën e sotme për rastin “Monstra” u dëgjua vetëm një dëshmitar. Ai në pyetjen e gjykatësit, tha se me Fejzi Azirin është njoftuar në ngjarjen komunale me rastin e legalizimit të tokës, në të cilën kanë marrë pjesë të dy.

Dëshmitari i sotëm u paraqit vetë në seancë, pasi kishte marrë vesh nga fqinjët se policia e kërkon si dëshmitar.

Seanca e radhës për këtë lëndë është caktuar për më 22 gusht./Telegrafi/

Exit mobile version