Site icon Telegrafi

Rasti “Medikus” e lë Kosovën pa Ligjin për transplant të organeve

 

Kosova nuk ka ligj që rregullon çështjen e transplantimit të organeve. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se që nga viti 2013, është përgatitur Ligji, i cili më pas është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Por, më pastaj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, kishte kërkuar që ky ligj të tërhiqet nga procedura.

Ky mision po zhvillonte atë kohë hetime në lidhje me rastin e njohur si “Medikus”, i dyshuar për transplant ilegal të organeve.

EULEX-i, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se komentet e dhëna nga ky mision ishin të natyrës teknike, që kryesisht theksonin mospërputhshmëritë mes sanksioneve administrative, sanksioneve penale dhe dënimeve të parapara për veprat penale të “transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore” sipas Kodit Penal të Kosovës.

Përderisa paqartësitë ligjore vazhdojnë, në Kosovë kërkesat e pacientëve për transplant organesh nuk janë të vogla. Por, ato kryesisht kryhen në vendet tjera si në Turqi e Shqipëri.

Në këto vende, transplantim të veshkave, sipas të dhënave aktuale, kanë bërë 120 persona, të cilët aktualisht edhe marrin terapi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ibrahim Rrudhani, nefrolog, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se përpos mungesës së ligjit, në Kosovë nuk ka kapacitete humane për të kryer transplante organesh.

“Ka punuar një komision i ekspertëve në Ligjin për transplantim organesh, por për shkak të transplanteve ilegale të veshkave që pati ndodhur në Kosovë vite më parë, ky ligj nuk wshtw miratuar”, ka thënë ai.

Rrudhani ka përmendur me këtë rast EULEX-in i cili kishte kërkuar që Ligji të mos i kalonte procedurat e miratimit, për shkak të rasteve nën hetime.

“EULEX-i ka qenë një para-pengesë për tu miratuar ligji,për shkak se kanë kërkuar detajizim të ligjit. Andaj ka mbetur në rrugë të legalizimit”, ka thënë Rrudhani.

“Ne kemi 120 raste të transplantuara të veshkës, sepse unë jam kompetent të flas për veshkat. Këta persona marrin terapi në klinikën tonë dhe 99 për qind të dhuruesve janë familjar”, ka shtuar ai.

Rrudhani shton më tej se është e nevojshme që të formohet një celulë e përgatitjes së stafit adekuat. Ai gjithashtu shton se do duhej që Kosova të kishte edhe Qendër Nacionale për Transplant.

Në anën tjetër, drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se Ligji për transplantim organesh do të duhej që në një të ardhme të afërt të procedohet sërish në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, ky ri-procedim, sipas tij, do të duhej të bëhej në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera.

Aktualisht, sipas Hotit, transplantimet e indeve dhe qelizave mund të kryhen edhe në Kosovë.

“Për të mos mbetur fusha e transplantimeve krejtësisht e pa mbuluar me legjislacion, Ministria ka nxjerrë Ligjin për transplant të indeve dhe qelizave i cili në vitin 2014 është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kurse vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti janë nxjerr edhe dy udhëzime administrative. I pari ka të bëjë me kushtet për kualifikimin dhe trajtimin e personave që kryejnë transplantime dhe i dyti për import të indeve dhe qelizave që është nënshkruar nga ministri Shëndetësisë”, ka thënë Hoti.

Në agjendën për vitin 2017, janë edhe dy udhëzime të tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e fushës së transplantimit të indeve dhe qelizave, ka thënë Hoti.

Edhe deputetja Time Kadriaj nga Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Ligji duhet të jetë në përputhje me standardet e kërkuara evropiane.

“Në momentin e fundit Ministria e Shëndetësisë e ka tërhequr Ligjin për transplante organesh nga komisioni dhe nga Kuvendi i Kosovës, në fazën kur është dashur të kalojë në leximin e dytë. Më pas nuk ka pasur gatishmëri për atë ligj. Mendoj se është dashur të legjitimohet dhe do të duhej që Qeveria ta shtyjë përpara atë, për shkak se kemi kërkesa për transplante, sidomos për veshka. Po ashtu, duhet të përgatiten kuadrot e të licencohen për këtë shërbim”, ka thënë Kadriaj.

Ndryshe në Kosovë janë kryer transplantet e organeve, por të cilat janë cilësuar të kundërligjshme. Në vitin 2013, Gjykata Themelore e Prishtinës, në bazë të një procesi të udhëhequr nga EULEX-i, i njohur si rasti “Medikus”, pati shpallur fajtor urologun Lutfi Dervishi, dhe djalin e tij Arban Dervishin si dhe të punësuarin tjetër në këtë klinikë, Sokol Hajdinin.

Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

Megjithatë, EULEX-i ngriti shqetësime shtesë në lidhje me qëllimin e përgjithshëm të këtij projektligji dhe ndikimin që ai mund të ketë mbi sistemin e shëndetësisë në Kosovë.

Meqë EULEX-i nuk kishte ekspertizë specifike sa i përket zbatimit dhe fizibilitetit të legjislacionit të propozuar, ne e këshilluam Komisionin e Kuvendit që të kërkonte ndihmë për një vlerësim teknik të projektligjit. Në këtë drejtim, EULEX-i përcolli informata rreth praktikave më të mira ndërkombëtare nga Komisioni Evropian i Këshillit të Evropës për Transplantimin e Organeve, dhe e këshilloi Komisionin e Kuvendit që ta kontaktonte Këshillin e Evropës.

EULEX-i është pjesë e Mekanizmit për Shqyrtimin e Legjislacionit (MSHL).

Andaj, në rast se projektligji prapë vihet për shqyrtim, ky Mekanizëm, thuhet se së pari do të vlerësojë nëse angazhimi i tij është i dëshirueshëm, dhe pastaj do të ofrojë komente përmes procesit konsultativ së bashku me anëtarët e tjerë të Mekanizmit për Shqyrtimin e Legjislacionit. /REL/

Foto: Ilustrim

Exit mobile version