Njëri nga të dënuarit në rastin Medikus, Lutfi Dervishi, është arrestuar nga Policia e Kosovës pas disa vitesh në arrati.
Dervishi është parë pak çaste më herët duke u sjellë në stacionin Qendra të Policisë së Kosovës, i shoqëruar nga zyrtarët policorë.
Arrestimi i tij vjen disa ditë pasi Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim Rasti “Medikus”, edhe pse dënimet e themelores për këtë rast ishin vërtetuar edhe nga apeli.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar në vitin 2013 me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ndërsa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.
Djalit të Lutfiut, Arbanit, i cili nga gjykata themelore ishte dënuar me 7 vjet e tre muaj burg, Gjykata e Apelit ia ngriti dënimin në 8 vjet, ndërsa Sokol Hajdini nga Gjykata e Apelit u dënua me 5 vjet burg për dallim nga dënimi prej 3 vjetësh që i kishte shqiptuar gjykata themelore.
Dënimet Gjykata Themelore në Prishtinë i shpalli më 29 prill të vitit 2013, ndërsa Gjykata e Apelit lidhur me këtë rast vendosi në mars të këtij viti.
Ndërsa pos dënimit me burg, urologu Lutfi Dervishit i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për dy vjet.
Arban Dervishi, menaxher në klinikë, atëherë u dënua për të njëjtat akuza me Lutfi Dervishin me 7 vjet e 3 muaj burg dhe gjobën prej 2 mijë e 500 eurosh.
Sokol Hajdini për lëndime të rënda trupore u dënua me 3 vjet burg dhe ndalim mosushtrimi të profesionit të anesteziologut për një vit.
Po për lëndime të rënda trupore u dënuan me nga një vit burg me kusht edhe Islam Bytyqi e Sylejman Dulla.
Pas arrestimit të mjekut Lutfi Dervishi, të birit të tij dhe anesteziologëve, Policia e Kosovës kishte bastisur Klinikën “Medicus” ku kishte gjetur medikamente me afat të skaduar dhe doza të gjakut të cilat nuk kishin origjinë.
Në Klinikën “Medicus” ishte gjetur edhe një pacient, shtetas izraelit, i cili dyshohet se kishte pranuar veshkën nga një shtetas turk. Shtetasi turk qe arrestuar në Aeroportin e Prishtinës në kohën kur po largohej nga Kosova. /kallxo.com/