Valon Murati nga Këshilli i Prishtinës theksoi se ky peticion, i cili në nivel kombëtar kap shifrën rreth 175.000 nënshkrime, në formë simbolike do t’i dorëzohet edhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi. Murati theksoi se në vazhdim Këshilli i Prishtinës do të dërgojë peticionin me kërkesa edhe OKB-së, BE-së si dhe Këshillit të Evropës.
Sa i përket seancës së fundit parlamentare që u mbajt më 8 prill për ngjarjet e 10 shkurtit 2007, Murati theksoi se kjo seancë pati anët pozitive dhe ato negative. Anët pozitive konsistojnë në faktin se presion i 150.000 qytetarëve arriti që ta fus në rendin e ditës të Kuvendit të Kosovës një çështje që i brengos ata, dhe se qëndrimet e shumicës së deputetëve ishin në frymën e kërkesave të peticionit dhe sidomos të kërkesës së Këshillit për ngritjen e një komisioni parlamentar ‘ad hoc’ për hetimin e ngjarjeve të 10 shkurtit të vitit 2007.
Ana negative u shfaq në mënyrën sesi u përmbyll debati, pa asnjë deklaratë, rezolutë, apo rekomandim. Ky përfundim, përkundër insistimit të deputetëve, dukej se ishte një skenar më herët i përgatitur. /Telegrafi/