Telegrafi

“Rasti i Kumanovës”, Latifi: Na arrestuan që të hakmerren për 2001-shin

Procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës ka vazhduar me dëshmitë e të akuzuarve Fazli Osmani dhe Ragmi Latifi, ndërsa i akuzuari tjetër Musadik Pajziti nuk mundi të dëshmojë për shkak të sëmundjes së diabetit.

Prokurorët e lëndës Villma Rustovska dhe Naum Panovski të akuzuarin për terrorizëm Fazli Osmani gjithë kohës e kanë pyetur për mbjelljen dhe kultivimin e patateve pasi i akuzuari në dëshminë e tij tha se merret me kultivimin patateve dhe me blegtori.

Ndërkohë, bisedat telefonike mes Musadik Pajazitit dhe Ragmi Latifit janë dëshmitë e prokurorisë kundër këtyre të akuzuarve. Ragmi Latfi në dëshminë e tij tha se gjysmën e jetës e ka kaluar në kamion duke udhëtuar në botë dhe se akuzat ndaj tij janë hakmarrje pasi ka qenë pjesëtarë i UÇK-së në vitin 2001.

“Ne grupi i dytë që jemi të akuzuar, edhe fëmija trevjeçar e di se ne jemi arrestuar për vitin 2001. Jemi arrestuar pas pesë muajsh. Prokurorisë iu desh aq kohë për të na lidhë me grupin e parë, që të bëhet nji film i mirë. Sa më shumë njerëz do ketë aq më interesant do jetë”, ka thënë Ragmi Latifi, i akuzuar.

Ish luftëtari i UÇK-së nga Hotla kritikoi kualifikimin për terrorizëm duke thënë se nuk mund dikush të quhet terrorist nëse s’i ka bërë dëm askujt. Ai kujtoi ngjarje humaniteti që ka bërë gjatë luftës kur ka shpëtuar edhe civilë maqedonas por edhe civilë shqiptarë.

Seanca për rastin e Kumanovës do të vazhdoj me 27 prill me dëshmitë e pesë të akuzuarve të fundit të grupit të Kumanovës./Telegrafi/