Telegrafi

Rasti Klan Kosova, Kelmendi i reagon Hajdarit: Pse gjithë ky panik, pse gjithë kjo frikë?

Autori i emisionit “Rubikon” në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi ka reaguar pas deklaratës së ministers së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka thënë se edhe 48 biznese të tjera kanë emërtime kundërkushtetuese dhe se do të vazhdojnë me zbatimin e ligjit.

Kelmendi në reagimin e tij ka thënë se vetëm medias i është publikuar dokumenti, transmeton Telegrafi.

“48 biznese “nuk janë në rregull”, tha, por vetëm medias ia publikuan fletërrufenë në rrjete sociale, vetëm për median paskan shkruar plot eksponentë të wannabe partisë-shtet në këto 24 orët e fundit”.

Tutje ai ka thënë se Qeveria ka mbushur rrjetet sociale me profile të rreme.

“Pse gjithë ky panik? Pse gjithë kjo frikë? A e dini pse? Se Facebookun e Twitterin e kanë mbushur me profile të rreme për të mos e lejuar qytetarin e lirë ta shpreh mendimin e vetë. Me televizionet nuk po e gjejnë formulën ende. Për atë televizioni është armiku. Sot Klani, nesër të tjerët. Nuk kanë me e pa’ atë film”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Hajdari: Edhe 48 biznese të tjera kanë emërtime kundërkushtetuese, ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit

Theksojmë se ministrja Hajdari të dielën deklaroi se pas riverifikimit dhe pezullimit të certifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., MINT nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.

“Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”, ka deklaruar Hajdari.

Ndryshe, sot Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, organizon protestën me moton “Demokracia vdes në errësirë” në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. /Telegrafi/