Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të takojë sot në Riad mbretin Salman të Arabisë Saudite, pas kundërthënieve në rritje për fatin e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Pompeo do të vizitojë më pas Turqinë, ku Khashoggi është parë për herë të fundit në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.
Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë nga agjentët sauditë, por Riadi e mohon këtë.
Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “vrasësit mashtrues” mund të jenë pas zhdukjes së gazetarit.
Trump nuk dha asnjë dëshmi për të mbështetur komentet e tij, por tha se gjatë një bisede telefonike me mbretin saudit, ky i fundit tha se nuk është në dijeni se çfarë ka ndodhur me Khashoggin.
Në orët e para të ditës së sotme, policia turke u largua nga konsullata saudite në Stamboll, pas një bastisjeje gjatë natës.
Raporte të pakonfirmuara në mediat amerikane thonë se Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se Khashoggi vdiq si rezultat i një procesi të marrjes në pyetje që shkoi keq dhe se synimi fillestar ishte që ai të rrëmbehej.
Khashoggi ka qenë kritik i Qeverisë saudite dhe ka shkruar për gazetën Washington Post. /Rel/