Site icon Telegrafi

Rasti Dehari dhe zhdukja e mostrave në IML – çfarë dihet deri më tani

Vdekja e Astrit Deharit në qelinë e paraburgimit me 5 nëntor 2016, vazhdon të mbetet ende një mister i pazgjidhur.

Së fundmi ky mister është rikthyer sërish në vëmendje të opinionit, pas zhdukjes së mostrave të Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.

Sipas njoftimit, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve:

Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore,

Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore,

Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe

Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Lexo po ashtu Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, nga MD-ja flasin rreth kthimit në punë të zyrtarëve të suspenduar

Pas suspendimit të tyre nga puna, të njëjtit janë rikthyer sërish në IML. Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.

Në pyetjen rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Haliti tha në RTK se policia është duke i shqyrtuar ato, derisa tha se nuk ka asnjë informatë nëse ka ndonjë regjistrim apo ndonjë fakt rreth asaj se kush i ka marr këto mostra.

Rikthimin në punë të katër të suspenduarve e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Genc Nimoni, shef i kabintetit të Ministrisë së Drejtësisë ka thënë se bazuar në Ligjin për shërbyes publikë, në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë të formuara dy komisione: komisioni disiplinor dhe komisioni për ankesa.

“Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor ka suspenduar zyrtarët në fjalë mirëpo të njëjtit janë kthyer nga komisioni i ankesave” – thuhet në përgjigjen e Genc Nimonit.

Më 4 gusht të vitit 2016 kur objekti i Kuvendit të Kosovës u sulmua me një granatë dore. Me 30 gusht të atij viti, Policia kishte arrestuar gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, si të dyshuar për kryerjen e sulmit. Një nga ta ishte Astrit Dehari.

Bashkë me të tjerët, Astriti kishte përfunduar në paraburgim në Prizren, teksa priste për një aktakuzë, ngritjen e së cilës nuk e përjetoi. Me 5 nëntor të vitit 2016, Astrit Dehari, u gjend i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren. /Telegrafi/

Exit mobile version