Sot në Gjykatën penale në Shkup fillon gjykimi për rastin “Celula”, kundër pesë personave të akuzuar për pjesëmarrje në ushtri të huaj, njofton 24VEST, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Në seancë publike për vlerësim të aktpadisë, gjashtë të pandehur e pranuan veprën me të cilën ngarkohen.
Për marrëveshjen për fajësi, të pandehurve iu shqiptuan këto dënime: hoxha Rexhep Memishi i cili është i dyshuar për veprën pjesëmarrje në ushtri, polici, formacione paraushtarake dhe parapolicore të huaja, ishte dënuar me burgim shtatë vjeçar; Ahmet Dardhishtës, i cili ngarkohet për të njëjtën vepër, iu shqiptua dënim me burg në kohëzgjatje prej pesë vite e gjysmë, ndërsa Fazli Sulës, Sejfulla Edemovskit, Muhamed Shehut dhe Resul Saitit, të cilët janë të dyshuar për pjesëmarrje në ushtri, polici formacione paraushtarake dhe parapolicore, iu shqiptua dënim i vetëm në kohëzgjatje prej 5 vitesh.
Avokatët e pesë të dyshuarve për të cilët Gjykata e veçoi procedimin, theksuan se aktakuza nuk i përmbush as edhe standardet themelore, sidomos duke e ditur që ky është rast i parë i këtij lloji në Maqedoni që kur u miratuan ndryshimet ligjore.
Prokurori i lëndës, Vladimir Milloshevski, gjatë prezantimit të aktakuzës para Gjykatës, theksoi se veprimet e përfshira, të cilët janë kryer nga të dyshuarit, kanë filluar në tetor të vitit 2014./Telegrafi/