Në rastin e njohur si “Badovci”, ku pesë persona akuzohen për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, është dhënë fjala përfundimtare.
Prokurorja speciale Drita Hajdari tha para trupit gjykues se mbetet pranë aktakuzës dhe se nga provat e gjetura është e bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, prandaj i propozoi Gjykatës që t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.
Disa nga provat e gjetura, prokurorja i prezantoi përmes fotografive në sallën e gjykimit. Një prej tyre ishte edhe një letër e gjetur më 19 korrik 2015 që, sipas Prokurorisë, ishte me shkronja latine dhe fjalë arabe. Sipas përkthyesit të Prokuroris,ë kjo është përmbajtja e letrës: “I betohemi mësuesit tonë, luftëtarit (të fesë) Ebu Bekri Al-Husejni El-Kurejshi El-Bagdadi për dëgjueshmëri dhe për zbatimin e urdhrave në rastet e vështira deri në sakrificë në raste të vështira dhe të lehta dhe nga vartësit e tij për ne dhe nga të gjithë ata që rekomandojnë dhe kanë autoritet për urdhra ndër kohë dhe do të jem i përpiktë ose i saktë sipas Sheriatit (ligjit të Allahut) në falje dhe në raste të pafajësisë në atë që nga Allahu i madhëruar na vjen argumenti. Për këtë që po deklaroj dëshmitar e kam Allahun e madhëruar”.
Albana Kelmendi, mbrojtëse e të akuzuarit Besnik Latifi, deklaroi se Prokuroria nuk ka arritur të japë prova të besueshme se i mbrojturi i saj ka kryer ndonjë vepër penale. Fjalën e avokates e mbështeti edhe i akuzuari.
Se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e të akuzuarve, u shprehën edhe të mbrojturit e të akuzuarve të tjerë.
“Kjo aktakuzë është ngritur në supozime që janë krijuar siç ka qenë helmimi i ujit. Prokuroria është duke u mbështetur vetëm në një letër të bardhë, e cila nuk është marrë nga klienti im”, tha Gani Hoxha, i cili e mbron të akuzuarin Gazmend Halitin.
Fjalën e avokatit e mbështeti edhe vetë i akuzuari.
“Si prova kundër të mbrojturit tim janë marrë disa foto në ‘Facebook’, të cilat ishin bërë në vitin 2008. ISIS është shpallur si organizatë terroriste më 2013. Nuk ka vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm pa ekzistuar pasoja”, tha Bajram Tmava, mbrojtës i të akuzuarit Milazim Haxhiaj.
E mendimit se Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë prova ishte edhe Sabrije Jashari, mbrojtëse e Enis Latifit.
“I mbrojturi im prej fillimit është deklaruar i pafajshëm”, tha Jashari.
I akuzuari Enis Latifi në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se e mbështet deklarimin e mbrojtëses së vet.
“Është vërtetuar me anë të transkriptave telefonike se klienti im ka pasur detyrën e taksistit për të cilën edhe ka licencë”, tha Blerim Qela mbrojtës i të akuzuarit Fehmi Musa.
Edhe i akuzuari Fehmi Musa në fjalën e tij përfundimtare e mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij. Ai po ashtu deklaroi se Kosova më shumë është e rrezikuar nga qentë endacakë se nga terrorizmi.
Në këtë rast të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.
Aktakuza i ngarkon të pesë të akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.
Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.
Trupi gjykues rastin e cilësoi të ndjeshëm dhe për këtë mori vendim që në këtë seancë gjyqësore të mos lejohen fotografimet dhe incizimet. /kallxo.com/