Site icon Telegrafi

Rasti “Almiri”, mbrojtja kërkon që lënda të gjykohet në Shkup

Mbrojtja në rastin e vogëlushit Almir Aliu nga Kumanova kërkon largimin e lëndës nga Gjykata Themelore e Kumanovës. Arsye për këtë sipas avokatit Asmir Alispahiç është fakti që kjo Gjykatë është treguar e njëanshme. Alispahiç kërkon që rasti të gjykohet në Gjykatën Themelore në Shkup.

Mbrojtja konsideron se në momentin kur u refuzuar kërkesa për të pasur anëtarin shqiptar në trupin gjykues, vendosëm për këtë veprim sepse pa trup gjykues me gjykatës shqiptar, Gjykata Kumanovës përsëri do të veprojë njëanshëm, ashtu siç veproi në vendimin e shkallës së parë”- theksoi Asmir Alispahiç, Avokat i familjes Aliu

Kërkesën e mbrojtjes së familjes Aliu e ka forcuar edhe fakti që Prokuroria Publike nuk pranoi largimin e prokurores Suzana Kusigerska si përfaqësuese e akuzës. Sipas Alispahiç, Gjykata Apelit në Shkup duhet të ketë parasysh edhe lëshimet gjatë vendimit të parë, në bazë të të cilave edhe ktheu lëndën në rigjykim. Shpresoj se Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë seriozisht dhe do të sjell vendim që kompetencat nga Kumanova t’i kalojë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 në të cilën kam besim të mjaftueshëm për lëndë të renda mbi të cilat ka sjell vendim. Ka shumë arsye për t’i shpjeguar mbi faktin se si ka vepruar Prokuroria Publike, si për shembull pranimi i të gjitha ekspertizave si dëshmi edhe pse gjykata e dinte se janë bërë nga ekspert pa licenca”, u shpreh Asmir Alispahiç, avokat i familjes Aliu

Derisa Gjykata Apelit të vendos për kërkesën e familjes Aliu, të hënën është caktuar seanca e radhës për rastin e Almirit. Procesi i cili ka nisur nga fillimi aktualisht është në fazën e propozimit të dëshmive dhe dëgjimin e dëshmitarëve, përfshi edhe të akuzuarit. Në shkallën e parë, i akuzuari për vrasjen e Almir Aliut 4 vjeçar nga Kumanova, Boban Iliq u dënua me 6 vite burg, ndërsa 3 të tjerë me nga 6 dhe 9 muaj masë efektive.

Gjatë procesit gjyqësor, akuza nga “vrasje” u rikualifikua në “aksident komunikacioni” mbi bazën e ekspertizës neuro-psikiatrike e cila më vonë rezultoi të jetë bërë nga ekspert pa licenca. Gjykata Themelore nuk morri për bazë këtë fakt, ndërsa për fajtor shpalli Boban Iliq, Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë. (Aslat)

Exit mobile version