Site icon Telegrafi

Rastet nga coronavirusi po rriten gjithnjë e më shumë – por sa e përgatitur është Evropa?

Vetëm javën e kaluar, Evropa kishte regjistruar më pak se 50 raste të coronavirusit në shtatë vende të ndryshme.

Ndërsa tani janë konfirmuar më shumë se 350 raste, kryesisht në veri të Italisë, pas një shpërthimi të madh gjatë fundjavës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shpërthimi i virusit vdekjeprurës në Itali ka ngritur reagimin e autoriteteve shëndetësore, për të ndaluar përhapjen e mëtejshme.

Të paktën 11 njerëz kanë vdekur nga virusi në Itali, ndërsa qeveria ka urdhëruar izolimin e disa qyteteve në Lombardi dhe Veneto, përfshirë mbylljen e shkollave, transportin lokal, si dhe ndalimin e frekuentimit të ngjarjeve publike.

Ndërkaq rastet e coronavirusit janë konfirmuar edhe në Francë, Austri, Spanjë, Greqi dhe Kroaci.

Lidhur me shpërthimin e coronavirusit në Itali ka reaguar Andy Tatem profesor i gjeografisë në Universitetin Southampton.

“Fakti që kemi viktima dhe kaq shumë raste në Itali, tregon se përhapja e saj është zgjeruar më herët edhe para se të raportohej në media”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se investimet e bëra nga kombet evropiane në kujdesin shëndetësor publik, si dhe koordinimi gjithëpërfshirës nga Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve kanë bërë që kontinenti të jetë i përgatitur ndaj shpërthimeve virale në krahasim me pjesën më të madhe të botës.

“Për shkak të alarmit të shtuar vendet evropiane po përgatiten gjithnjë e më shumë, ndërsa do të jenë të gatshëm të mos ndodhë përsëri si në rastet në Itali”, ka thënë Tatem.

Ndërkohë autoritetet shëndetësore në Francë, Gjermani dhe Greqi kanë sugjeruar se do të marrin masa të rrepta nëse vendet e tyre përballen me shpërthime të coronavirusit.

Franca e cila në kohën e përhapjes së virusit kishte konfirmuar 17 raste dhe dy të vdekur, ka përgatitur 108 spitale, me të paktën një në çdo rajon, për të pranuar, izoluar dhe për t’u përkujdesur për pacientët.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gjermani ka ndarë 23 milionë euro për situatat e mundshme ndaj coronavirusit, duke u deklaruar se janë të përgatitur mirë për raste emergjente.

Dy raste të reja janë raportuar në Gjermani të mërkurën nga mediat lokale, duke e çuar totalin në 18, por rreziku i përgjithshëm mbetet i ulët, sipas Institutit Robert Koch, një agjenci qeveritare kërkimore.

Të dy vendet kanë bërë gjithashtu porosi për maska kirurgjikale dhe pajisje të tjera mbrojtëse për punonjësit e shëndetit, në mesin e mungesave në të gjithë botën për të cilat Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka fajësuar për grumbullimin e panevojshëm nga publiku.

Zvicra ka forcuar masat në vendkalimet kufitare me Italinë fqinje, pasi autoritetet janë duke përmirësuar kapacitetin e laboratorëve të testimit, ndërsa Ministria e brendshme ka njoftuar se testet do të vihen në dispozicion për të gjithë njerëzit që shfaqin simptoma të ngjashme me gripin.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një numër shkollash janë mbyllur pas shqetësimeve që nxënësit mund të kenë kontraktuar coronavirusin.

Sidoqoftë, zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se vetëm ata që tregojnë simptoma duhet të izolohen, dhe se niveli i rrezikut të vendit do të mbetet i ulët.

Ndërsa aktualisht, shërbimet shëndetësore evropiane po ndjekin një strategji të kontrollit.

Në praktikë, kjo nënkupton identifikimin e infeksioneve dhe gjurmimin e origjinës së tyre, në mënyrë që çdo person që ka ardhur në kontakt me ndonjë të prekur nga virusi, të mund të testohet, izolohet dhe trajtohet sipas nevojës. /Telegrafi/

Exit mobile version