Gjyqësori vazhdon të jetë i ndikuar nga politika, me gjithë premtimet e Qeverisë për reforma në drejtim të ngritjes së pavarësisë, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar rastet e fundit për lënien në liri të personaliteteve të ndryshme të akuzuar për shpërdorim të detyrës apo keqpërdorime tjera.
Reagimet vijnë pasi Gjykata Penale e Shkupit hodhi poshtë padinë ndaj një gazetari të afërt me pushtetin e kaluar, Dragan Pavlloviq Llatas, që kishte ndërtuar vikend-shtëpiza për veten dhe familjarët e tij, por edhe për rastin me sekretarin e Qeverisë Dragi Rashkovski, i akuzuar për përfshirje në një tender prej 7 milionë eurosh, për çka institucionet e drejtësisë nuk kanë nisur asnjë hetim.
Trendafill Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, thotë se pushteti aktual po humbet çdo ditë e më shumë shansin që ia dha faktori ndërkombëtar, po edhe qytetarët, që të fillojë të zbatohet drejtësia përkatësisht të nxirren para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.
Ivanovski thotë se lirimi nga akuzat brenda një jave i ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançevska, dhe gazetarit Dragan Pavlloniq Llatas, i ka dhënë shuplakë të rëndë optimizmit të qytetarëve, të cilët rrëzuan regjimin e kaluar përmes protestave, në të cilat kërkohej drejtësi për të gjithë.
“Disi, ky pushtet shumë vështirë arrin të gjendet, të nxjerrë drejtësinë në shesh. Duket qartë se derdhja e lotëve të krokodilit se ne po angazhohemi, por procesi i reformave do kohë, nuk e ndihmon askënd. Por, duhet të plotësohen obligimet që ka ndërmarrë kjo Qeveri për të krijuar kushte për sundimin e drejtësisë, në të kundërtën gjithnjë e më shumë do të zhgënjehen qytetarët, por edhe faktori ndërkombëtar nga kjo pafuqi e strukturave udhëheqëse”, thotë Ivanovski.
Nga ana tjetër, Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë për Radion Evropa e Lirë thotë se u krijua shumë spektakël nga ana e Prokurorisë Speciale Publike me ngritjen e akuzave ndaj ish-funksionarëve dhe tani lirimi nga akuza i tyre paraqet një shfryrje të ballonit ashtu siç është dhe paralajmërimi me pompozitet se sistemi gjyqësor po reformohet.
“Kjo është edhe një dëshmi tjetër që verifikon mungesën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në këtë vend dhe për më tepër se kaq, edhe ligështinë e institucioneve, të cilat nuk arrijnë të çojnë deri në fund çështjet që kanë të bëjnë me figurat që janë nën ndjekje penale”, vlerëson Kadriu.
Përderisa për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Trendafill Ivanovski, mosndëshkimi i bartësve të institucioneve, qoftë nga pushteti i kaluar apo këtij aktual tregon se Maqedonia se veriut është larg sundimit të drejtësisë.
“Të gjithë prisnim që pas rënies së regjimit, do të ketë drejtësi, do të ketë paqe, por doli se bartësit e këtij aktiviteti nuk janë të aftë për një gjë të tillë”, shton Ivanovski, sipas të cilit, Maqedonia e Veriut dëshmon se mbetet shtet me institucione të kapura.
Ndërkaq, Besa Kadriu thotë se kjo tregon se pse Maqedonia e Veriut është larg Bashkimit Evropian
“Nëse ne nuk kemi një sistem të drejtësisë që është funksional, kot që mund të aspirojmë kapjen e majave të sistemit të integrimit në një periudhë të shkurtë kohore”, shprehet Kadriu.
Ndryshe, edhe në raportin e GREKO-s për vlerësimin e Maqedonisë së Veriut, duke pasur në fokus “Parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit në pushtetit dhe organet për zbatimin e ligjit”, theksohet se vendi çalon në drejtim të zbatimit të ligjit.
“Sistemi i së drejtës penale nuk ka treguar sukses në luftën kundër korrupsionit. Edhe pse Prokuroria Speciale Publike ka ngritur disa lëndë gjykatë për korrupsion në nivel të lartë, të cilat janë si rrjedhojë e bisedave të përgjuara , prokurorët në përgjithësi nuk është se po ndjekin rastet e profileve të larta ose rastet e ndjeshme politike”, është theksuar në raportin e GREKO-s./REL/