Site icon Telegrafi

Rasic në konferencën e ILO-s kërkon ndihmë për punësimin e kosovarëve

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, delegacioni nga Kosova ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetërorë, të përfaqësuara në ILO, kurse në fokus të bisedimeve kanë qenë gjetja e mundësive për punësimin stinor të punëkërkuesve nga Republika e Kosovës në vende tjera, politikat e migracionit, problemet globale në tregun e punës, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian si dhe mundësia e nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale në sferën e aftësimeve-trajnimeve profesionale dhe koordinimit në fushën e sigurimeve sociale.

Fillimisht delegacioni ynë ka pasur një takim me delegacionin e Republikës së Shqipërisë, i udhëhequr nga ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, ku është diskutuar rreth vazhdimit dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në veprimtarinë e këtyre dy dikastereve, por edhe rreth pjesëmarrjes në takime rajonale si shtete, me qëllim të arritjes së nivelit rajonal të bashkëpunimit, që është interes i përbashkët.

Rasic ka zhvilluar takim pune edhe me delegacionin e Mbretërisë së Bahrejnit, i kryesuar nga Majeed Al Aëali, ministër i Punës të Mbretërisë së Bahrejnit, shtet ky që e ka njohur Kosovën, ku është biseduar rreth mundësisë së punësimit stinor të punëkërkuesve tanë në këtë shtet, kurse gjatë takimit të delegacionit të Kosovës me ministrin e Punës dhe Migracionit të Luksemburgut, Nicholas Schmit, ministri Rasic ka falënderuar, në emër të shtetit të Kosovës, Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e aftësive të punëkërkuesve të Republikës së Kosovës përmes projekteve konkrete, që në vazhdimësi janë duke u realizuar në Kosovë nga Qeveria e Luksemburgut.

Çështja e pensioneve të qytetarëve të Republikë së Kosovës, që kanë punuar në Zvicër e që tash jetojnë në Kosovë, ka qenë ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga delegacioni ynë gjatë takimit me Valeri Berset Bircher, zv/shefe për Çështje Ndërkombëtare të Punës në Departamentin Federal të Ekonomisë në Bernë të Zvicrës, e cila njëherësh është e ngarkuar nga Qeveria Zvicerane për negociata dhe bisedime me MPMS për këtë çështje.

Kurse në takimet e ndara që janë zhvilluar me Misionin e Kanadasë pranë OKB-së në Gjenevë dhe me ministrin e Punës të Jordanisë delegacioni i Republikës së Kosovës ka paraqitur gjendjen aktuale në vendin tonë lidhur me gjendjen e papunësisë dhe çështje tjera nga sfera sociale, për sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova si dhe për mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit bilateral në mes këtyre vendeve dhe Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version